Kontaktet e shqiptarëve me botën islame, janë relativisht më të vona se ato të pjesës më të madhe të popujve europianë. Islami u shfaq për herë të parë në kontinentin e vjetër në fund të mijëvjeçarit të parë (shek. 9-10-të). Nga kontaktet e spanjollëve me arabët dhe kulturën e tyre lindi eposi i Sidit, në të cilin konflikti themelor është ai i kalorësve hispanikë me maurët (arabët). Nga kontakti i frankëve me arabët lindi epopeja kombëtare e francezëve “Kënga e Rolandit”, në të cilën konflikti zhvillohet midis morëve (arabëve) dhe vendësve. Disa shekuj më vonë arabët do të ishin të pranishëm në tragjeditë e Shekspirit (Othello, “arapi i zi”, në tragjedinë me të njëjtin emër). Në këtë kohë (fundi i periudhës bizantine dhe pragu i pushtimit otoman) shfaqen për herë të parë arabët të fiksuar në kulturën tradicionale shqiptare, në baladën e vëllait që ngrihet nga shtrati i vdekjes për të mbrojtur nderin e motrës nga “nji bajloz i zi” (a “nji harap i zi”) që ka dalë prej detit. Historikisht kontaktet ndërfetare midis shqiptarëve të krishterë dhe pelegrinëve përhapës të islamit i takojnë shekullit të 13-14-të. Me pushtimin