15 pyetje rreth Islamit
Nga gjermanishtja: Mr. Rejhan Neziri
Parathënie :
Gjermania dhe Evropa me karakterin e tyre pluralist gjithnjë e më shumë po zhvillohen në një shoqëri multikulturore. Kështu në Gjermani sot jetojnë afërsisht 2 milionë, në Evropë 35 milionë kurse në mbarë botën mbi 1 miliardë muslimanë. Përskaj krejt kësaj akoma në Gjermani dhe gjetiu mbisundojnë shumë keqkuptime dhe paragjykime rreth Islamit dhe muslimanëve. Mediat vendore, përjashtuar disa prej tyre, kontribuojnë shumë pak për ndreqjen dhe korrigjimin e informacioneve të rreme rreth Islamit. Tani, një bashkëjetesë e qetë dhe e patrazuar është e mundur vetëm nëse shemben paragjykimet ekzistuese dhe nëse vazhdimisht nuk shtohen të reja; ngase nga paragjykimet nuk qëndron shumë larg as edhe gjykimi.
Për ta neutralizuar këtë zhvillim, ne e shohim si obligim tonin që të informojmë drejtë dhe realisht rreth Islamit dhe muslimanëve. Kjo më së miri mund të arrihet përmes një vetëprezantimi. Nisur nga kjo arsye ne e publikojmë këtë broshurë duke shpresuar që sadopak të kontribuojë në arritjen e qëllimeve të lartpërmendura. Në të jepen informacione të drejta dhe të shkurtra rreth pyetjeve që për çdo ditë i parashtrohen një muslimani rreth fesë islame. "25 pyetje rreth Islamit" bazohet në një broshurë në gjuhën angleze, përmbajtjen e së cilës ne ia kemi përshtatur rrethanave tona vendore.
Në botimin e pestë të kësaj broshure ne kemi bërë edhe disa përmirësime shtesë. Ne gëzohemi që kjo broshurë e vogël ka gjetur një jehonë aq të madhe dhe shpresojmë në sugjerimet e mëtutjeshme të lexuesve tanë.
Pyetja: 1.Çka do të thotë fjala "Islam"?
Përgjigjja: Fjala Islam do të thotë të bësh paqe dhe dorëzim. "Të bësh paqe" do të thotë që besimtari të jetojë në paqe e qetësi me vetveten dhe me rrethin ku banon. "Dorëzimi" përdoret për ta theksuar pranimin e vullnetit të Zotit. Muslimani e fiton me Islamin paqen duke iu nënshtruar apo dorëzuar vullnetit dhe dëshirës së Zotit. Në Kur`an, në librin e shenjtë të muslimanëve, vetë Zoti thotë se Ai e ka zgjedhur Islamin si fe për njerëzimin: "Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe." (Kur`ani, 5:3).
Muslimanët e refuzojnë titullin "muhammedan" që atyre u jepet nga ana e perëndimorëve, sepse Muhammedi (paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të!) si pajgamber ka qenë vetëm përcjellës i porosisë së Zotit dhe se i vetmi që meriton adhurimin është vetë Zoti.
Pyetja: 2. Kush është All-llahu?
Përgjigjja: All-llah është një fjalë arabe që shënon "Zotin një" dhe nuk është emër i një zoti privat të muslimanëve. All-llahu xh.sh. është i vetmi Krijues i gjithësisë që meriton të adhurohet e të respektohet; bile edhe të krishterët arabë Zotin e quajnë All-llah. Ai i ka krijuar njerëzit dhe përmes shpalljeve të Tij ua ka treguar atyre rrugën më të mirë për në këtë botë, në mënyrë që në botën tjetër (Ahiret) të mos përjetojnë ndonjë dënim.
Pyetja: 3. Çfarë do të thotë titulli "musliman"?
Përgjigjja: Sipas kuptimit të fjalës musliman është njeriu i cili në mënyrë vullnetare i nënshtrohet vullnetit të Zotit dhe i cili krijimin e paqes e ka si obligim të vetin. Njeriu bëhet musliman nëse deklaron se s`ka zot tjetër pos Atij Një dhe se Muhammedi a.s. është i dërguar (profet) i Tij. Në kuptimin më të gjerë musliman është personi i cili në mënyrë vullnetare dhe me vetëdije të plotë i nënshtrohet vullnetit dhe dëshirës së Zotit. Nisur nga kjo arsye, të gjithë pejgamberët që kanë qenë përpara Muhammedit a.s., po ashtu kanë qenë muslimanë. Kur`ani e përmend në veçanti Ibrahimin a.s., i cili ka jetuar shumë më herët se Musai (Mozes) dhe Isai (Jezus) dhe i cili "nuk ka qenë as hebre e as krishter", porse "musliman" (Kur`ani, 3:67), ngase ai i është nënshtruar vullnetit të Zotit.
Nga ana tjetër ka njerëz që quhen dhe thirren se janë muslimanë, a në fakt nuk i nënshtrohen vullnetit të Zotit, ashtu siç ka edhe të tjerë që bëjnë çmos për të çuar një jetë islame. Nuk duhet gjykuar rreth Islamit vetëm duke i shikuar njerëzit që bartin emra muslimanësh a në të vërtetë me veprimet dhe jetën e tyre nuk sillen si muslimanë. Se sa një njeri është musliman, varet nga gatishmëria për t`iu dorëzuar dhe nënshtruar me besim e vepra vullnetit të Zotit.
Pyetja: 4. Kush ka qenë Muhammedi?
Përgjigjja: Muhammedi a.s. ka lindur në vitin 570 në qytetin e Mekkes të Arabisë Saudite si anëtar i një fisi të njohur. Paraardhësit e tij mbërrijnë deri te pejgamberi Ismail a.s., djalë i Ibrahimit a.s. Babai i vdiq Muhammedit a.s. pak para se të lindte ky, kurse nëna kur ky ishte 6 vjeç. Ai nuk ka ndjekur ndonjë shkollë, porse – ashtu siç praktikohej në ato kohëra – është rritur nga një mëndeshë (dado) dhe më vonë është marrë nën kujdesin e gjyshit e të xhaxhai të vet. Që nga rinia ai është njohur si një njeri i drejtë dhe i besueshëm. Afërsisht kur ky kishte 40 vjet iu paraqit meleku Xhibril në shpellën në të cilën ky ishte veçuar për meditim dhe e njoftoi atë se ishte pejgamber i Zotit. Shpalljet e mëtutjeshme kanë zgjatur për një periudhë prej 23 vjetësh dhe më vonë janë përmbledhur në formë libri. Ky libër, pra Kur`ani, për muslimanët është shpallja e fundit dhe definitive e Zotit. Kur`ani nuk është ndryshuar dhe është ruajtur në formën origjinale; ai e vërteton Torën (Tevratin), Psalmet (Zeburin) si dhe Ungjillin (Inxhilin), të cilat me kalimin e kohës njerëzit i kanë ndryshuar.
Pyetja: 5. A i luten muslimanët Muhammedit?
Përgjigjja: Jo. Muslimanët nuk i luten as Muhammedit a.s. po as ndonjë pejgamberi tjetër.Muslimanët i njohin të gjithë pejgamberët e mëparshëm si Ademin, Nuhin, Ibrahimin, Davudin, Sulejmanin Musain, Isain si dhe të gjithë të tjerët (paqa e Zotit qoftë mbi ta!). Muslimanët besojnë se Muhammedi a.s. ka qenë vula e pejgamberëve, d.m.th. i dërguari i fundit i Zotit. Ata besojnë se asnjë gjallesë tjetër përveç Zotit nuk guxon të adhurohet e të lutet.
Pyetja: 6. Çfarë thonë muslimanët për Isain (Jezusin)?
Përgjigjja: Muslimanët e vlerësojnë dhe e respektojnë shumë lart Isain a.s. si dhe nënën e tij Merjemen (Marinë). Kur`ani na lajmëron se Jezusi (arab. Isa) është lindur pa baba si një mrekulli e Zotit. "Vërtet, çështja e Isait (të lindur pa baba) te All-llahu është sikurse çështja e Ademit. Atë e krijoi Ai nga dheu, e pastaj atij i tha: "Bëhu!" e ai u bë." (Kur`ani, 3:59). Me ndihmën e Zotit si pejgamber ai ka realizuar shumë mrekulli (arab. muxhize), ndër të tjera ai menjëherë sapo ka lindur ka mund të flasë, për ta mbrojtur nënën e vet dhe për ta vërtetuar drejtësinë dhe pafajësinë e saj. Zoti atij i ka dhënë edhe aftësi të tjera si p.sh. shërimin e të verbërve dhe të sëmurëve, rizgjimin (ringjalljen) e të vdekurve, formimin e një zogu të gjallë nga balta dhe më e rëndësishmja: Ai i ka dhënë atij një porosi e një mesazh për njerëzimin. Këto mrekulli, të cilat ia pati dhënë Zoti, e konfirmojnë pejgamberinë e tij. Ai nuk është kryqëzuar, porse është ngritur në qiell (Kur`ani, 3:54-55). Sureja Merjem (19) i përshkruan mrekullitë e Isait a.s. në ajetet 27-34.
Pyetja: 7. A ka në Islam drejtime të ndryshme të besimit?
Përgjigjja: Në Islam dallojmë dy drejtime kryesore: shiitët dhe sunnitët. E përbashkët për të dyja drejtimet është se Kur`ani dhe shëmbëlltyra e Muhammedit a.s. përbëjnë bazamentin e besimit të tyre. Të dyja falin pesë kohët e namazit në ditë, agjërojnë muajin e Ramazanit dhe shkojnë në haxhxh, vizitë Qaben në Mekke. Dallimin midis këtyre dy drejtimeve mund ta barazojmë me dy format e ndryshme të të menduarit të tyre. Muslimanët, të cilët fjalët dhe veprat e Muhammedit a.s. i marrin për obligative, quhen sunnitë, kurse ata, të cilët si shtesë i marrin për të sakta dhe vendimtare edhe fjalët dhe mendimet e Aliut (dhëndërrit të Muhammedit a.s.) dhe të cilët Aliun e konsiderojnë për pasardhës politik dhe shpirtëror të Muhammedit a.s., quhen shiitë. Termi "Shia" prej të cilit rrjedh edhe termi "Shiitë", do të thotë "parti" – në këtë rast "parti e Aliut". Realisht ajo ka filluar si parti politike, e cila ka dëshiruar t`i ndihmojë Aliut përballë kundërshtarëve të tij. Sot shiitët përbëjnë afërsisht 15 % të popullatës së përgjithshme të muslimanëve. Shumica prej tyre jetojnë në Iran dhe Irak, ndërkohë që muslimanët e vendeve të tjera janë kryesisht sunnitë.
Pyetja: 8. Cilat janë detyrat kryesore të një muslimani?
Përgjigjja: Islami mbështetet mbi pesë shtylla, prej të cilave rrjedhin detyrat si vijojnë: 1) Dëshmia (shehadeh), se ka vetëm një Zot dhe se Muhammedi a.s. është i dërguar i Tij, 2) Namazi (salah), i cili duhet të kryhet 5 herë në ditë, 3) Agjërimi (sijam), i cili kryhet gjatë muajit të Ramazanit, 4) Lëmosha (zekah), që është një lëmoshë e detyruar për qëllime të mira nga pasuria e pasanikëve, 5) Pelegrinazhi (haxhxhi) në Mekke, të cilin duhet ta kryejë së paku një herë në jetë secili musliman që ka mundësi fizike dhe financiare. Të gjitha shtyllat e kësaj ndërtese të besimit duhet ta kenë të njëjtën rëndësi për një musliman, që të mund ndërtesës t`ia japin formën e saj të përshtatshme. Eshtë kontradiktore që një person ta kryejë haxhxhin e nga ana tjetër të mos agjërojë ose të mos e falë namazin rregullisht. Le ta marrim një ndërtesë që është e ngritur vetëm mbi shtylla. Eshtë vështirë që njeriu këtë ta quajë ndërtesë. Përveç kësaj ajo duhet të ketë edhe një kulm (çati), muret si dhe dyer e dritare. Këto pjesë të ndërtesës së besimit në Islam e përbëjnë sjelljet morale që shprehen përmes virtyteve si ndershmëria, sinqeriteti, durimi dhe shumë veti të tjera. Prandaj, nuk lypet që një musliman t`i kryejë vetëm shtyllat e Islamit, porse vazhdimisht duhet të përpiqet ta zhvillojë dhe përsosë gjithnjë e më tepër karakterin e tij sipas normave islame.
Pyetja: 9. Çfarë roli luajnë adhurimet (ibadetet) në Islam?
Përgjigjja: Qëllimi i ibadeteve apo adhurimeve në Islam është vetëdijesimi për praninë dhe ekzistencën e Zotit. Adhurimi, qoftë të jetë ky namazi, agjërimi ose zekati, është një hap në rrugën drejt cakut: arritjes së kënaqësisë së Zotit.
Nëse dikush me idetë dhe sjelljet e tij jeton duke e pasur në vetëdije Zotin, atëherë ai mund të shpresojë në mirëqenien e tij në këtë dhe në botën tjetër.
Pyetja: 10. Çka e pret muslimanin pas vdekjes?
Përgjigjja: Zoti është i drejtë dhe për ta ushtruar drejtësinë e Tij, në Islam ekziston parimi i përgjegjësisë. Njerëzit që bëjnë punë të mira do të shpërblehen, kurse ata që bëjnë punë të këqija do të dënohen varësisht sipas dëmit që kanë bërë. Prandaj edhe Zoti ka krijuar parajsën (xhennetin) dhe ferrin (xhehennemin), të cilët arrihen me plotësimin e disa kushteve.
Muslimanët e dinë se kjo jetë e tanishme është afatshkurtër dhe se vijon një jetë tjetër pas kësaj. Jeta e tanishme është një provim dhe nëse ne e kalojmë këtë provim, atëherë neve do të na dhurohet një jetë e pafund e lumturisë në xhennet në shoqëri me njerëzit e drejtë.
Pyetja: 11. Çka ndodh me një "jobesimtar" pas vdekjes dhe a ka mëkate që nuk i fal Zoti?
Përgjigjja: Kur`ani thotë qartë: "E kush e punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe sa grimca, atë do ta gjejë." (99:7-
. Me këtë jepet të kuptohet se ata njerëz që nuk besojnë por që bëjnë punë të mira në këtë botë, për shkak të këtyre veprave të tyre të mira ata do të shpërblehen në këtë botë. Ndërkaq njerëzit që janë muslimanë dhe bëjnë punë të mira ata do të shpërblehen jo vetëm në këtë botë porse edhe në botën tjetër. Gjykimi përfundimtar për këtë i takon vetëm Zotit (Kur`ani, 2:62). Së këndejmi, mëkatin e politeizmit (besimit në shumë zota) Zoti nuk do t`ia falë atij që ka vdekur me atë besim (Kur`ani, 4:48, 116).
Pyetja: 12. Përse duhet gratë muslimane të bartin shaminë?
Përgjigjja: Muslimani duhet t`i japë rëndësi edhe modestisë sa i takon veshmbathjes dhe njeriu nuk duhet të trajtohet si një objekt i thjeshtë i lakmisë. Prandaj edhe në Islam ka disa rregulla për veshjen si për mashkullin ashtu edhe për femrën. Veshja nuk guxon të jetë as shumë e hollë po as shumë e ngushtë sa të shihet forma e trupit. Veshja e mashkullit duhet ta mbulojë më së paku pjesën prej kërthizës e deri nën gjunjë, kurse ajo e femrës duhet ta mbulojë tërë trupin e saj përveç fytyrës dhe duarve. Mbulimi i fytyrës së gruas nuk është i obliguar. Mbështetje për këto rregulla përbën ajeti kur`anor (24:31), të cilin e precizojnë pastaj hadithet e Muhammedit a.s. Këto detyra, si edhe çdo detyrë tjetër në Islam, për muslimanët vlejnë detyrueshëm që nga mosha e pubertetit, ngase kjo periudhë shënon moshën madhore të njeriut.
Pyetja: 13. A është në Islam vetëm mishi i derrit i ndaluar?
Përgjigjja: Me Kur`an muslimani urdhërohet të mos hajë mishin e derrit, të produkteve të derrit si dhe mishin e kafshës së ngordhur (Kur`ani, 5:3). Krahas këtyre nuk është i lejuar as edhe mishi i kafshëve grabitqare, ngase ato vetë ushqehen edhe me mish të kafshëve të ngordhura. Përveç kësaj muslimani nuk guxon të konsumojë as edhe pijet alkoolike, si verën ose birën, si dhe drogën dhe llojet e saj.
Pyetja: 14. A ka "luftë të shenjtë" në Islam ose çfarë është "xhihadi"?
Përgjigjja: Shpesh nëpër medie përmenden dhe barazohen termat xhihad dhe luftë e shenjtë. Në Islam nuk ekziston termi "luftë e shenjtë". Ajo që përmendet është fjala xhihad, e cila nënkupton "përpjekjen" ose edhe më saktë "të përpiqesh në rrugë të Zotit". Cdo përpjekje që ndërmerret në jetën e përditshme për ta arritur kënaqësinë e Zotit, mund të konsiderohet si xhihad. Njëra prej shkallëve më të larta të xhihadit është të ngrihesh kundër sundimit të një tirani dhe atij t`ia thuash të vërtetën. Të luftosh kundër egos tënde dhe ta ruash veten nga sjelljet e këqija, po ashtu është një përpjekje e madhe në rrugën e Zotit. Xhihad është edhe kapja e armëve në dorë për ta mbrojtur Islamin ose një vend musliman. Ky lloj i xhihadit duhet të thirret nga një lider fetar ose nga një kryetar shteti i cili e ndjek Kur`anin dhe sunnetin (shembullin e pejgamberit Muhammed a.s.).
Pyetja: 15. Cilat ditë feste i njeh Islami?
Përgjigjja: Me Idul-Fitrin (festa, bajrami i Ramazanit) mbaron koha e agjërimit të muajit Ramazan. Këtë festë muslimanët e kremtojnë me një namaz publik (me xhemat), me ushqime të posaçme për atë ditë si dhe me vizita e dhurata të ndërsjella. Idul-Ed`ha (festa, bajrami i Kurbanit) ndodh aty kah mbarimi i haxhxhit, pra të pelegrinazhit vjetor në Mekke. Pas faljes së namazit me xhemat, ata që kanë mundësi financiare, presin nga një dele, dash apo ndonjë kafshë tjetër, për ta theksuar e për ta përkujtuar dëgjueshmërinë e Ibrahimit a.s. ndaj Zotit, kur ky ishte i gatshëm ta bënte kurban madje edhe djalin e vet për Zotin (Kur`ani, 37:101-107).
Experdi
:D