Feja Islame (ar.: Tondokument إسلام islām nënshtrim ndaj Zotit; الإسلام al-islām Islami në kuptimin feja e të nënshtruarëve ndaj Zotit) me përafërsisht 1,2 miliardë besimtarë, është feja e dytë me radhë sipas numrit të besimtarëve, pas fesë krishtere (2,0 miliard). Besimtarët e kësaj feje thirren mysliman.
Islami është fe monoteiste, që definohet në bazë të Kuranit, i cili për myslimanët është fjala e pakorrigjueshme e Zotit. Burimi i dytë për myslimanët janë fjalët e Profetit Muhammed dhe praktika e tij (Sunneti).
Islami pretendon të jetë praktikë jetësore e njeriut dhe metodologji e të menduarit të tij. Islami është fe e cila përfshin në përgjithësi çdo çështje jetësore. Me termin "Islam" nënkuptojmë-nënshtrim, dorëzim, ndërsa me termin "musliman" nënkuptojmë atë që i është nënshtruar (dorëzuar) urdhërave të Allahut dhe njëkohësishtë zbaton ligjet e Tij.
Kushtet kryesore të Besimit Islam janë:
* Besimi në Allahun, Zot Krijues i Qiejve dhe Tokave
* Besimi në Melekët (Engjëjt) e Allahut, si krijesa të Tij. Feja Islame tregon se Allahu nga drita, krijoi melekët, që kanë detyra të caktuara.
* Besimi në Pejgamberët e Allahut (profetët). Mbi 124 mijë persona, Feja Islame thotë se Allahu i zgjodhi për ta përcjellur misionin e Tij tek popujt. Të gjithë këta ishin Pejgamberë, ndër të cilët 5 më kryesorët ishin:Nuhi, Ibrahimi, Musa, Isa dhe Muhammedi.
* Besimi në Librat e Allahut. Islami mëson se janë 4 libra kryesorë të Allahut, Tevrati që iu zbrit Musait, Zeburi që iu zbrit Davudit, Inxhili që iu zbrit Isait dhe Kur'ani që iu zbrit Muhammedit. Ndërsa përmenden edhe disa fletushka që iu janë zbritur Shitit (djali i Ademit, njeriut dhe Pejgamberit të Parë), Ibrahimit dhe Musait.
* Besimi në Ditën e Kijametit. Islami tregon se pas shkatërrimit të botës, njerëzit do të pyeten për veprat që kanë bërë gjatë jetës së tyre në Tokë, në një ditë të gjatë që quhet Dita e Kijametit ose e Gjykimit.
* Besimi në Caktimin e Allahut. Islami mëson se çdo që ndodh sipas Caktimit të Allahut.