SwiDin forum
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

SwiDin forum

Mirë se vini
 
PortaliForumKërkoLatest imagesRegjistrohuidentifikimi

 

 Rëndësia e njohjes së emrave të bukur të Allahut dhe cilësive të Tij të larta

Shko poshtë 
AutoriMesazh
Admin
administrator
administrator
Admin


Numri i postimeve : 82
Points : 243
Join date : 25/06/2009
Location : zakonisht swidin.albanianforum.net

Rëndësia e njohjes së emrave të bukur të Allahut dhe cilësive të Tij të larta Empty
21032010
MesazhRëndësia e njohjes së emrave të bukur të Allahut dhe cilësive të Tij të larta

Si mundet të nxjerrë në pah pena e robit të dobët e të paaftë, dobitë e mëdha që përfiton njeriu me anë të studimit të kësaj teme!?
Ata që e njohin Allahun dhe janë të vetëdijshëm për Madhërinë dhe Përsosmërinë e Tij, kanë diskutuar rreth mirësisë së madhe që kanë arritur duke njohur Allahun, cilësitë dhe emrat e Tij. E megjithëse me retorikën e tyre në këtë fushë, i kanë mahnitur njerwzit, dituria e tyre që ka ndriçuar zemrat dhe ka udhëzuar mendjet, është si një pikë uji në oqeanin e pamatë të dijes.
Tekstet e Kur’anit dhe Sunetit mbartin sekrete dhe një dritë të tillë që i shushat mendjet dhe i ndriçon zemrat e njerëzve.
Mjafton për të kuptuar këtë që po sqarojmë, fakti se njeriu më i ditur rreth Zotit të Tij, Muhamedi =, i cili i trembej më tepër se kushdo tjetër Atij, ka theksuar se nuk mund t’i llogarisë lavditë që meriton Zoti i robërve. Ai ka thënë duke iu drejtuar Zotit të tij: “Nuk i llogaris dot lavditë e Tua.”
Në rreshtat që vijojnë, do të përmendim disa pika, ku do të sqarojmë frytet dhe dobitë që arrijnë robërit me anë të njohjes së emrave dhe cilësive të Allahut.

Rruga për njohjen e Allahut, është njohja e emrave dhe cilësive të Tij

Në qoftë se robërit dëshirojnë ta njohin Zotin e tyre dhe të shtojnë dijen e tyre rreth Tij, nuk kanë rrugë tjetër, veçse ta njohin Atë me anë të argumenteve të Sheriatit që e përshkruajnë dhe deklarojnë emrat dhe veprat e Tij, sepse Allahu nuk mund të shihet në këtë botë.
Shikoni fjalën e Allahut ku na bën të njohur veten e Tij:
“Allahu është Ai që nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij. Ai është El Haj-ju, El Kaj-jum (i Përjetshmi, i Pafillim dhe i Pambarim, Mbajtësi dhe Mbrojtësi i gjithçkaje që ekziston). As kotje as gjumë nuk e kap Atë, e Atij është çdo gjë në qiej dhe në tokë. Kush është ai që mund të ndërmjetësojë tek Ai përveçse me lejen e Tij? Ai e di se çfarë u ndodh krijesave të Tij në këtë botë dhe çfarë do t’u ndodhë atyre në botën tjetër. Ata kurrë nuk do të përfshijnë ndonjë gjë nga dija e Tij, përveç asaj që Ai dëshiron. El Kursij-ja e Tij përfshin qiejt dhe tokën. Ai nuk ndjen aspak lodhje në ruajtjen dhe në mbrojtjen e tyre. Ai është më i Larti, më Madhështori.” (El Bekare: 255)
Ky ajet njihet me emrin “Ajetul Kursijj”. Ai është ajeti më madhështor i Kur’anit, siç ka ardhur në një hadith të saktë. Mbi madhështinë e këtij ajeti, dijetarët kanë thënë: “Ai përmban besimin e drejtë në adhurimin e Allahut dhe në emrat e cilësitë e Tij.” Për më gjerë, shiko hadithet që ka përmendur ibnu Kethiri në komentimin e këtij ajeti, si dhe shpjegimin që u ka bërë atyre.
Shikoni gjithashtu tri ajetet e fundit të sures “Hashër”:
“Allahu është Ai, veç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me meritë, por vetëm Ai, i Gjithëdituri i gajbit (i çdo të fshehte dhe të panjohure) dhe i së shfaqurës (i çdo të njohure). Ai është i Gjithmëshirëshmi, Mëshirëploti. Allahu është Ai përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër të merituar, por vetëm Ai, Mbizotëruesi, i Shenjti, i Gjthëpërsosuri pa asnjë të metë, Gjithëdhuruesi i sigurisë (besimit), Gjithëvëzhguesi mbi krijesat e Tij, i Gjithëfuqishmi, Urdhëruesi i Papërballueshëm, më i Larti Suprem. Lavdi i qoftë Atij. I Lartë është Ai nga gjithë çfarë i mveshin dhe i bashkojnë Atij. Ai është Allahu, Gjithëkrijuesi, Shpikësi i pashembullt i çdo gjëje, Formësuesi i gjithçkaje. Të Tij janë emrat më të bukur dhe më të lartë. Gjithë ç’është në qiej dhe në tokë lavdërojnë vetëm Atë. Dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.” (Hashër: 22-24)
Shikoni çfarë thotë Allahu për veprat e Tij në Univers:
“A nuk e kanë ditur ata që mohojnë se qielli dhe Toka ishin të bashkuar, pastaj Ne i ndamë ata dhe kemi bërë çdo gjë të gjallë, çdo lloj gjallese prej ujit!? A nuk do të besojnë atëherë, pra!? Ne kemi vendosur në tokë male të qëndrueshëm, se përndryshe ajo do të dridhej me gjithë ato. Ne vendosëm në të edhe vendkalime të gjera (qafa malesh) për të kaluar, që të mund të udhëzohen. Ne e kemi bërë qiellin çati të sigurtë dhe të mbrojtur më së miri, megjithatë ata u kthejnë shpinën shenjave të tij (dielli, hëna, yjet erërat, retë e tj.).” (El Enbija: 30-33)
Kur e pyeti Faraoni për Zotin e Tij që e ka dërguar tek njerëzit, Musai ia bëri të njohur Atë me anë të emrave, cilësive dhe veprave të Tij:
“Faraoni tha: ‘E çfarë është Zoti i botëve?’ Musai tha: ‘Zoti i qiejve dhe i Tokës dhe i gjithçkaje që ndodhet ndërmjet tyre, nëse kërkoni të bindeni plotësisht.’ Faraoni u tha njerëzve përreth tij: ‘A nuk e dëgjoni se çfarë thotë?’ Musai u tha: ‘Zoti juaj dhe Zoti i baballarëve tuaj të parë!’ Faraoni tha: ‘Vërtet i Dërguari që është sjellë tek ju është i çmendur!’ Musai u tha: ‘Zoti i lindjes e i perëndimit dhe i gjithçkaje që ndodhet ndërmjet tyre, veç sikur ta kuptoni!’” (Esh-Shuara: 23-28)
Tekstet e Sheriatit që kanë ardhur në lidhje me këtë temë janë të shumta. Madje i gjithë Kur’ani bën fjalë për Allahun. Thelbin e mesazheve të larta qiellore, Allahu e ka përmbledhur në një ajet të vetëm të Kur’anit:
“Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se nuk ka Zot tjetër përveç Meje, pra më adhuroni vetëm Mua.” (El Enbija: 25)
Allahu i Lartësuar ka thënë, duke përmbledhur thelbin e asaj që ia shpalli të Dërguarit Tij, Muhamedit (salallahu alejhi ue selam):
“Thuaju: ‘Mua më është shpallur se i adhuruari juaj është Një i adhuruar i Vetëm. A do t’i nënshtroheni Atij pra?” (El Enbija: 108)
Robërit nuk munden ta konceptojnë realitetin e adhurimit e ta zbatojnë atë në fjalët dhe punët e tyre, në qoftë se nuk do të njohin cilësitë e Krijuesit të Lartësuar.
Nga kjo që sqaruam, arrrijmë të kuptojmë krimin e madh që kanë bërë ata të cilët mohojnë cilësitë e Allahut, emrat dhe veprat e Tij, ose një pjesë të tyre. Në këtë mënyrë ata bllokojnë rrugën e njohjes së Tij.

Pastrimi i shpirtrave dhe edukimi i tyre që të adhurojnë Allahun, Një, të Vetëm

Mesazhet e zbritura nga Allahu synojnë të rregullojnë gjendjen e njeriun dhe rruga drejt këtij qëllimi është edukimi i robërve në adhurimin e Allahut. Çelësi me të cilin të Dërguarit hapën zemrat e njerëzve, ishin ajetet e Allahut të cilat flisnin rreth Zotit të tyre dhe i lidhnin zemrat e tyre me Të. Kështu drejtohen zemrat dhe fytyrat e robërve për tek një Zot i Vetëm.
Boshti rreth të cilit sillet i gjithë Kur’ani, është përmbledhja e cilësive të Allahut, përmbledhja e veprave të Tij në Univers, sqarimi i Madhështisë së Tij, ftimi i njerëzve për t’iu përgjigjur ligjeve të Allahut dhe për t’iu larguar gjërave që tërheqin zemërimin e Tij, si dhe sqarimi i shpërblimit që u jep Allahu atyre që i binden dhe i ndëshkimit me të cilin do t’i ndëshkojë ata që e kundërshtojnë.
Ky konstatim, siç ka ardhur në Kur’an, ka qenë dhe do të jetë faktori kryesor që lëviz zemrat, trondit nefset (vetet) dhe zhduk ndyrësirat e të këqijat që i pengojnë njerëzit nga e mira.
Lexojeni fjalën e Allahut, e cila tregon për ndikimin që lënë në shpirtrat e të mirëve të Umetit, këto ajete të zbritura prej Tij:
“Allahu zbriti fjalët më të shkëlqyera, një Libër, pjesët e të cilit i përngjajnë njëra-tjetrës, në mirësi e vërtetësi, shpesh i përsëritur. Lëkurat e atyre që kanë frikë Zotin e tyre, dridhen prej tij. Pastaj lëkura dhe zemra e tyre zbutet me përkujtimin e Allahut”. (Ez-Zumer: 23)
Njohja e emrave dhe cilësive të Allahut, të mbron nga rrëshqitja në gabime, të ngre pas rënies në gabim (gjynah), të hap derën e shpresës, të ndihmon për durim dhe të mbron nga pesimizmi dhe dembelizmi.
t e njerëzve, ndoshta dëshirojnë të veprojnë gjynahe, por kur kujtojnë se Allahu i sheh dhe se do të dalin para Tij, tërhiqen dhe largohen nga ato. Njeriu bie në gjynah, e pastaj kujton mëshirën e madhe të Allahut dhe nuk vazhdon më në veprimin e tij, nuk zhytet më shumë në rrugën e shkatërrimit, por kthehet tek Zoti i Tij, i Cili e pranon teuben (pendimin) e robërve dhe i mëshiron ata.
Robin e prekin fatkeqësi dhe gjëra të urryera, por ai nuk shqetësohet dhe nuk shfaq panik. I mbështetet Allahut dhe i përballon gjërat e urryera me zemër të kënaqur. Ibnul Kajim ka thënë: “Prej sekreteve të Kur’anit të madhërishëm, është se ai u drejtohet njerëzve me shprehje të cilat u shfaqin atyre Zotin e Lartësuar nëpërmjet cilësive të Tij. Në disa ajete, Allahu u shfaqet njerëzve me anë të cilësive të madhërisë dhe lartësisë. Këta i bëjnë njerëzit që të nënshtrohen, t’u thyhen zemrat, t’i drejtohen Atij me zëra të përkushtuar dhe t’u shkrihet mendjemadhësia, siç shkrihet kripa në ujë. Në disa ajete u shfaqet me anë të cilësive të bukurisë dhe përsosmërisë, të cilat tregojnë për bukurinë dhe përkryerjen e qenies. Kjo bën që njerëzit ta duan Allahun me të gjithë fuqinë e dashurisë që kanë, sipas njohurive të tyre rreth bukurisë dhe përsosmërisë së cilësive të Tij. Kështu që zemra e robit boshatiset nga çdo gjë tjetër, përveç dashurisë për Allahun.
Kur u shfaqet me anë të cilësive të mëshirës, bamirësisë dhe butësisë, lëviz fuqia e shpresës në zemrat e robërve dhe angazhohen për të punuar sa më shumë që të arrijnë mirësitë e Allahut.
Kur u shfaqet me cilësitë e drejtësisë, hakmarrjes, zemërimit, urrejtjes dhe ndëshkimit, frenohet nefsi që urdhëron për të keqen, dobësohet fuqia e tij për epsh, zemërim, lojë, lakmi dhe haram, e i shtohet frika nga ndëshkimi i Allahut.
Kur u shfaqet Allahu me anë të cilësive të urdhërimit, ndalimit, besës, porosisë, dërgimit të të dërguarve, zbritjes së librave dhe ligjvënies, atëherë lëviz dëshira dhe fuqia e robërve për ta zbatuar e përcjellë të vërtetën dhe për të besuar lajmet me të cilat kanë ardhur të dërguarit.
Kur u shfaqet me anë të cilësive të dëgjimit, shikimit dhe dijes, rigjallërohet dhe aktivizohet tek robi fuqia e turpit. Ai turpërohet që Zoti i tij të shikojë e të dëgjojë atë që e urren Ai, ose të fshehë në zemrën e tij atë që e bën të urryer tek Allahu. Kështu që lëvizjet, thëniet dhe mendimet e tij, do të rendin sipas kritereve dhe standardeve të Sheriatit.
Kur u shfaqet me anë të cilësive të mjaftimit, dashurisë, rregullimit të gjërave në interes të tyre, shmangies së fatkeqësive prej tyre, ndihmimit të të dashurve të Tij dhe mbrojtjes së tyre, rigjallërohet tek robi fuqia për t’iu mbështetur Allahut, për t’i dorëzuar sukseset dhe rezultatet e punëve në dorë të Tij, si dhe për t’u kënaqur me atë që vepron Allahu ndaj tij.”

Dija më e lartë është njohja e Allahut

Që në të kaluarën, ashtu edhe në të tashmen, njerëzit kanë pasur zell të madh për dije dhe njohuri. Ata kërkojnë nëpër gërmadha dhe shpella, për të njohur ngjarjet e popujve të kaluar dhe gjendjet e tyre, studiojnë profecitë që flasin për të fshehtën që të njohin ngjarjet që do të ndodhin, shpikin satelitë për të studiuar yjet dhe planetet, madje kanë dërguar anije kozmike, të cilat lëvizin në hapësirë, për të zbuluar e sqaruar të fshehtat e Universit.
Njerëzit kanë studiuar tokën dhe shtresat e saj, malet, kodrat etj., janë zhytur në dete për të njohur kafshët dhe sekretet që gjenden në to, kanë studiuar njeriun, kafshët dhe bimët, kanë përpiluar libra për të regjistruar njohuritë që kanë marrë gjatë kohërave dhe kanë përpiluar dhe zbatuar shkenca të ndryshme, si historinë, gjeografinë, astronominë, kiminë, fizikën, mjekësinë etj..
Përderisa grada e dijes varet nga grada e asaj që kërkohet të njihet, atëherë padyshim dija që na njeh me Zotin tonë, është dija e gradës më të lartë. Ai që ka dituri dhe njohuri rreth Allahut, është më i mirë se ai që ka njohuri rreth njerëzve, kafshëve, shtresave të tokës, yjeve etj..
Ibnul Arabiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Grada e lartë e dijes, varet nga grada e lartë e asaj që dihet. Krijuesi është më i Lartë se të gjitha gjërat e tjera që mund të njihen, si rrjedhojë dituria rreth emrave të Tij, është dituria më e lartë.”
Islami i fton pasuesit e Tij për dituri, vëzhgim dhe hulumtim në Univers, por ai i kritikon ata njerëz, dituria e të cilëve qëndron në kufijtë e jetës dhe nuk i kalon ato, për të njohur Krijuesin e jetës dhe për të kuptuar qëllimin e krijimit të saj dhe të gjallesave:
“Ata dinë vetëm pamjen e jashtme të jetës së kësaj bote dhe janë krejt të pavëmendshëm për fundin e punëve në Jetën e Përtejme.” (Err-Rrum: 7)
Në qoftë se njohuritë fetare janë njohuritë më të mira dhe më të larta, padyshim dija që na bën të njohur Zotin tonë, është më e larta ndër të gjitha njohuritë. Prandaj ajetet që na japin njohuri rreth Allahut, emrave dhe cilësive të Tij, janë ajetet më të mira të Kur’anit. Ajeti “El Kursij”, sikurse është përcjellë në hadith të saktë, është ajeti më i mirë në librin e Allahut dhe sureja “Ihlas” është e barabartë me një të tretën e Kur’anit. Këto ajete janë madhëruar vetëm për faktin se bëjnë fjalë për Allahun, të Adhuruarin e Vetëm me të drejtë.

Njohja e emrave dhe cilësive të Allahut, është themeli (baza) për njohjen e çdo gjëje tjetër

Allahu i Lartësuar është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është Urdhëruesi që jep urdhër, “El Keumijeh”, për krijimin dhe formimin e gjërave, si dhe urdhërat fetare që duhet të zbatohen:
“Padyshim që i Tij është Krijimi dhe Komandimi (urdhërimi). (El A’raf: 54)
Kështu, ai që nuk e njeh Allahun me anë të emrave dhe cilësive të Tij, nuk njeh origjinën e krijimit dhe urdhërimit, pra, nuk njeh bazën që është e nevojshme për njohjen e çdo gjëje tjetër, përveç Allahut.

Shtimi i Besimit

Besimi shtohet me dije dhe punë. Sa më shumë dije të ketë robi rreth Allahut dhe ajeteve te Tij, aq më shumë i shtohet besimi. Po kështu, robit i shtohet besimi kur i përgjigjet urdhërave të Allahut.
Besimi, sikurse shtohet me dije dhe me punë, pakësohet për shkak të mangësisë së dijes dhe punës:
“Sa herë zbret ndonjë sure, disa prej tyre (hipokritëve) thonë: ‘Cilit prej jush iu shtua besimi?’ Sa për ata që besojnë, ajo e ka shtuar besimin e tyre dhe ndjejnë kënaqësi. Por sa për ata, në zemrat e të cilëve ka sëmundje (mëdyshje, mosbesim, hipokrizi), ajo do të shtojë dyshim e mosbesim në mosbesimin e tyre. (Et-Teube: 124-125)
Besimtarët i besojnë ajetet e zbritura të Allahut dhe njohuritë e ligjet që përmbajnë ato, dhe vendosin të zbatojnë atë që ftohen për ta zbatuar. Kjo padyshim ua shton besimin. Ndërsa munafikëve ua shton kufrin, sepse ata përgënjeshtrojnë dhe nuk pranojnë t’i përgjigjen Allahut.
Nuk ka dyshim se emrat dhe cilësitë e Allahut janë nga gjërat më të madhërishme që janë sqaruar përmes argumenteve fetare. Kështu, ai që i beson, e kupton domethënien e tyre dhe punon sipas saj, i shtohet besimi.

Ai që i mëson përmendësh emrat e Allahut, kupton domethënien e tyre dhe punon sipas saj, merr shpërblim të madh

Ebu Hurejre ka transmetuar se i Dërguari i Allahut = ka thënë: “Vërtet Allahu ka nëntëdhjetë e nëntë emra, njëqind pa një emër, të cilët kush i mëson përmendësh, e kupton se çdo të thonë dhe punon sipas domethënies së tyre, hyn në Xhenet.” (Trans. Buhariu)
Ibnul Kajim ka thënë se fjala “ihsa” – احصاء, që është përmendur në hadithin e Buhariut: “Me të vërtet Allahu ka nëntëdhjetë e nëntë emra të cilëve kush u bën ‘ihsa’, hyn në Xhenet”, ka për qëllim tri kuptime:
1) Mësimi i këtyre emrave përmendësh, siç ka ardhur në një transmetim tjetër: “Kush i mëson ato përmendësh, hyn në Xhenet”.
2) Kuptimi i domethënieve të këtyre emrave.
3) Lutja e Allahut me këta emra dhe adhurimi i Tij sipas domethënies së tyre.

Të madhërosh Allahun dhe t’i lutesh Atij me emrat e bukur dhe cilësitë e larta

Emrat e bukur dhe cilësitë e larta të Allahut, tregojnë për Madhështinë e Tij, prandaj ato janë të shumta. Përderisa emrat e Allahut dhe cilësitë e Tij u tregojnë robërve madhështinë e Krijuesit dhe përsosmërinë e Tij, nuk ka dyshim se ato janë rruga më e mirë dhe më e saktë që ndjekin robërit për madhërimin dhe lutjen e Tij.
Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar në Kur’an që t’i lutemi Atij me anë të emrave të Tij të bukur dhe kjo është lutja më madhështore me të cilën robi i drejtohet Allahut:
“Dhe të Allahut janë të gjithë emrat më të bukur, kështu që luteni Atë me to…” (El A’raf: 180)
Një nga rregullat e lutjes është që robi të lutet me anë të emrave të bukur të Allahut. Madje nuk plotësohet besimi në emrat e bukur të Allahut, derisa robi ta lusë Allahun me ta.
Lutja ndahet në dy lloje: “lutja e kërkimit” (dua’ul mes’eletu) dhe “lutja e adhurimit dhe lavdërimit” (duaul ibadeti ue thena).
“Lutja e kërkimit” është kur robi kërkon arritjen e asaj që i bën dobi dhe largimin e shmangien e asaj që i bën dëm. Për sa i përket emrave të bukur të Allahut, “lutja e kërkimit” bëhet duke e lutur Allahun për një kërkesë apo nevojë që kemi dhe duke përmendur emrin e Tij që i përshtatet asaj nevoje. Gjithashtu duke iu drejtuar Allahut me anë të emrave të Tij të bukur në lutje, si për shembull: “O Allah, më fal mua dhe më mëshiro, se vërtet Ti je Mëkatfalës, Mëshirëbërës.”
Kështu na janë transmetuar lutjet në Kur’an dhe Sunet:
“Zoti ynë, mos i bëj zemrat tona të shmangen nga e vërteta pasi Ti na ke udhëzuar dhe na dhuro mëshirë nga mëshira Jote. Vërtet Ti je Dhuruesi më i Madh (El Uehab).” (Ali Imran: Profeti = i mësoi Aishes që të thoshte në Natën e Kadrit: “O Allah! Ti je Falës dhe e do faljen e gabimeve e të gjynaheve, prandaj më fal mua.” (Transmeton Tirmidhiu dhe të tjerë. Hadithi është i saktë.)
“Lutja e adhurimit” është kur robi e adhuron Allahun dhe e lavdëron Atë me anë të emrave të Tij të bukur. Pra, ta adhurosh dhe ta lavdërosh Allahun me çdo emër të Tijin, sipas domethënies së atij emri, p.sh. të pendohesh vazhdimisht sepse Ai është Et-Teuab – Pranues i pendimit, dhe të bësh dhikër vazhdimisht sepse Ai është Es-Semië – Gjithëdëgjues.
Ibnu Kajim el Xheuzije ka thënë: “Me të vërtetë njeriu që bën adhurimin më të përkryer ndaj Allahut, është ai i cili e adhuron Allahun me të gjithë emrat e Tij, të cilët i dinë njerëzit.
Në temat e ardhshme, inshallah, do të shohim shumë ajete dhe hadithe të cilat përmbajnë madhërimin e Allahut me anë të emrave dhe cilësive të Tij, si dhe lutjen me anë të tyre.

Njohja e Allahut në përputhshmëri me metodën e Kur’anit dhe Sunetit është shkak për mëkëmbjen në tokë dhe devijimi nga kjo rrugë është shkak për humbje, poshtërim dhe dekadencë

Njohja e Allahut të Lartësuar sipas metodës së Kura’nit dhe Sunetit, e forcon besimin e drejtë në Allahun dhe i bën robërit të ecin në rrugën e drejtë. Ecja në rrugën e drejtë i afron robërit drejt Zotit të tyre, kështu që Allahu do të kënaqet me ta, do të zbresë mbi ta mirësitë e Tij dhe kjo do të bëhet shkak për triumf, fitore dhe mëkëmbje të muslimanëve në tokë. Si rrjedhojë, do të realizohet premtimi i Allahut të Lartësuar:
“Allahu u ka premtuar atyre nga mesi juaj që besojnë dhe punojnë mirësi e drejtësi, se Ai patjetër do t’u sigurojë vazhdimësi në tokë, ashtu siç ua siguroi këtë popujve përpara tyre, dhe se Ai do t’u sigurojë fuqinë për të zbatuar e përmbushur fenë e tyre, të cilën Ai e ka zgjedhur për ta. Dhe padyshim që Ai do t’u japë atyre në shkëmbim siguri e ruajtje pas frikës së tyre. Këta besimtarë të më adhurojnë vetëm Mua dhe të mos bashkojnë gjë tjetër me Mua. Por kushdo që nuk beson pas kësaj, këta janë fasikunë (të pabindur).” (En-Nur: 55)
Në qoftë se muslimanët do të devijojnë nga e drejta që Allahu ka pëlqyer për ta, kjo do të jetë padyshim shkak për rënien e sovranitetit dhe pushtetit të tyre si dhe shkak i domonimit të armiqve mbi ta. Argumentet e Kur’anit dhe Sunetit tregojnë se përhapja e kufrit, shirkut dhe bidadit, moszbatimi i Islamit të saktë dhe përçarja, janë shkaqet kryesore të prapambetjes dhe poshtërimit të muslimanëve. Gjithashtu edhe ngjarjet tragjike që ka kaluar dhe vazhdon të kalojë bota islame, dëshmojnë se largimi nga Islami dhe përhapja e koncepteve të gabuara rreth tij, është shkaku kryesor i tyre.
Ibnu Tejmije ka dhënë shembuj të shumtë për pasojat shkatërruese të humbjeve, devijimeve dhe bidateve në botën islame. Ai ka thënë se: “Qeveria ‘Umuuije’ ka rënë për shkak të bidatit të Xha’d ibni Derhem, i cili mohonte cilësitë e Allahut.”
Në fundin e shekullit të pestë të hixhrit, kryqëtarët filluan të pushtonin fiset shame njërin pas tjetrit, derisa e morën “Bejtul Makdesin” dhe më pas e rrethuan Damaskun, kështu që banorët e Shamit ishin në gjendjen më të rënduar, të ndodhur midis kafirëve të krishterë dhe hipokritëve ateistë.
Ibnu Tejmije, në lidhje me këto ngjarje ka sqaruar: “Shfaqja e hipokrizisë, bidateve dhe shthurjes – gjëra që bien në kundërshtim me fenë e të dërguarve – ka qenë shkaku i sundimit të armiqve mbi muslimanët.”
Nga ana tjetër ai ka sqaruar se si ka ndikuar shfaqja e devocionit fetar dhe ndjekja në mënyrë të përpiktë e fesë, në kohën e Nured-din esh-Shehid dhe Salahud-din Ejjubit, për luftimin e “el ubejdijin”, renegatëve, njerëzve të prishur dhe kryqëtarëve.
Dijetari i shekullit, shejh Albani, Allahu e mëshiroftë, pasi ka sqaruar rëndësinë e besimit sipas asaj që ka ardhur në Kur’an dhe Sunetin e saktë, ka thënë: “Shumica e thirrësve të Islamit sot, i lënë muslimanët të përçarë në idetë dhe mendimet e tyre dhe nuk interesohen për t’i bashkuar ata në Islamin e saktë që ka ardhur në Kur’an dhe Sunet. Disa prej tyre, kryesisht interesohen për t’i orientuar në sjelljen islame dhe disa të tjerë nuk bëjnë gjë tjetër tjetër, vetëm se i arsimojnë pasuesit e tyre në politikë, ekonomi dhe të tjera sfera, rreth të cilave vërtitet fjala e shumicës së publicistëve dhe analistëve të sotëm. Ndërmjet tyre vërejmë njerëz që nuk e falin namazin dhe megjithatë pretendojnë se do të krijojnë shoqërinë islame dhe do të gjykojnë me ligjin e Allahut! Sa larg që janë nga realizimi i kësaj ideje! Padyshim që një shoqëri e tillë, ku do të gjykohet me ligjin e Allahut, mund të realizohet, vetëm në qoftë se propaganduesit e saj do ta nisin nga ajo që e nisi i Dërguari i Allahut, duke ftuar në rrugë të Allahut sipas asaj që ka ardhur në Kur’an dhe sipas asaj që ka sqaruar i Dërguari i Tij.”
Mbrapsht në krye Shko poshtë
https://swidin.albanianforum.net
Share this post on: reddit

Rëndësia e njohjes së emrave të bukur të Allahut dhe cilësive të Tij të larta :: Komentet

No Comment.
 

Rëndësia e njohjes së emrave të bukur të Allahut dhe cilësive të Tij të larta

Mbrapsht në krye 

Faqja 1 e 1

 Similar topics

-
» Emrat e bukur të All-llahut
» Shehadeti Dhe Rëndësia e Tij.
» Sinqeriteti dhe rëndësia e tij
» Përkujtimi i Allahut
» Kur do të jetë ndihma e Allahut?

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
SwiDin forum :: Feja Islame :: Feja dhe Shkenca-
Kërce tek: