"Zoti yt i dha instinkt bletës: "Ndërto shtëpi nëpër kodra (male), nëpër drunj (pemë) dhe nëpër kulmet që ata (njerëzit) i ndërtojnë. Pastaj ha nga të gjitha (llojet) frutat dhe futu nëpër rrugët e nënshtruara (e të mësuara) prej Zotit tënd. Nga barqet e tyre (të bletëve) del lëng, ngjyra e të cilit është e ndryshme dhe në të cilin ka shërim (bar-ilaç) për njerëz. Edhe në këtë ka arsye për atë popull që mendon thellë." (En - Nahl, 68-69)
Mrekullia e Krijuesit, mjeshtëria e përsosur e Zotit fuqiplotë mbizotëron në çdo send, e veçanërisht në një insekt të vogël e të dobët, siç është bleta. Ajo, e frymëzuar dhe pajisur me instikt nga Krijuesi, di të ndërtojë në mënyrë të mrekullueshme shtëpitë gjashtëkëndëshe, të mbledh nektarin nga lloj-lloj lule e bimë dhe ta shndërrojë në mjaltë, i cili jo vetëm që është i natyrshëm, por është edhe ilaç shërues.
Kurani famëmadh, pra, troket përherë në portën e mendjes njerëzore me qëllim që ta zgjojë dhe ta aktivizojë, ngase në shembullin e bletës ka "arsye për atë popull që mendon thellë".
Egjiptianët e vjetër kanë ditur mbi rëndësinë shëruese të mjaltit 3.000 vjet para erës sonë. Edhe asirianët (2950-2050 vjet p.e.s.) kanë ditur mjaft për bletarinë.
Në kohën e Saragontit trupat e të vdekurve i lyenin me mjaltë dhe me dyllë.
Edhe në Indi dhe në Kinë kanë pasur një dashuri dhe respekt të veçantë për bletarinë dhe kanë ditur në mënyrë të shkëlqyeshme të përdorin mjaltin për të shëruar sëmundje të ndryshme.
Në Palestinë bletaria ka qenë aq e zhvilluar, saqë e quanin "Tokë në të cilën rrjedh mjaltë dhe qumësht". Udhëpërshkruesi grek Straboni (63 para e.s.) thotë se prodhimi dhe përdorimi i mjaltit në Arabi ishte tejet i madh. Arabët, sipas tij, e quanin mjaltin si dhunti të Zotit dhe eliksir jetësor (pije shëruese, nga arabishtja el-iksir).
Mjeku i njohur bullgar Dr. Stojmir Mladenov, në librin e tij të njohur Mjalti dhe shërimi me mjaltë, në mes tjerash thekson se "Muhammedanët kanë qenë bletarë të afirmuar dhe me shumicë e kanë përdorur mjaltin". Më tutje ky mjek thotë: "Edhe Kurani bën fjalë për vetitë shëruese të mjaltit." Vetë Muhammedi a.s. i këshillonte të sëmurët me këto fjalë: "Hani mjaltë se nga ai keni shërim."
Ky insekt i vogël, pra, siç është vlerësuar në versetin kuranor, punon dhe vepron i frymëzuar nga Krijuesi i gjithëfuqishëm. Bleta duhet të përshkojë 360-460 mijë km për të bërë 1 kg mjaltë. Kjo rrugë është 11 herë më e gjatë se gjatësia e ekuatorit të rruzullit tokësor. Mrekulli të veçantë paraqesin prizmat gjashtëkëndëshe të hojëzave (një matematikë e lartë) për të cilat Xhelaluddin Rumi kishte thënë: "Nëse në planetët e tjerë do të kishte njerëz më të përparuar, më të ngritur, ne do të krenoheshim me hojëzat e bletës."
Lexuesi i Kuranit fisnik mund të jetë mahnitur kur ka parë që kaptina e 16-të e tij, En-Nahl (Bleta), është emërtuar sipas emrit të një krijese kaq të vogël.
Në gjuhën shkencore të gjitha bletët i përkasin familjes Apis. Bleta komunikon me bletët e tjera me anë të një gjuhe të veçantë, të ashtuquajtur "vallëzuese". Për të shkencëtarët mendojnë se është një gjuhë e komplikuar dhe e zhvilluar.
Shkencëtari Karl von Frish, i Universitetit të Munihut në Gjermani, në vitin 1940 e zbuloi i pari domethënien e vallëzimit të bletëve. Sapo e zbulon burimin e ushqimit, bleta kthehet në fole dhe nëpërmjet tingujve dhe gjuhës së saj "vallëzuese" u tregon shoqeve të saj vendndodhjen e ushqimit të sapo zbuluar. Tingujt që lëshojnë me krahët e tyre janë gjithashtu një pjesë thelbësore e gjuhës "vallëzuese" të bletëve.
Saktësia e fjalive të Kuranit famëmadh lidhur me këtë fenomen shkencor shpaloset në kaptinën e 16-të versetit 68, ku thuhet:
"Zoti yt i dha instinkt bletës: "Ndërto shtëpi nëpër kodra (male), nëpër drunj (pemë) dhe nëpër kulmet që ata (njerëzit) i ndërtojnë."
Në versetin e cituar Allahu i plotfuqishëm e urdhëron bletën që të zgjedh një vendbanim, qoftë në kodër, qoftë në pemë apo në vende të tjera që i ka ndërtuar njeriu. Në gjuhën arabe, folja ka një formë specifike. Ajo është në mënyrën urdhërore dhe në këtë kontekst është e njëjtë për të dy gjinitë: për gjininë mashkullore dhe për atë femërore.
Në Kuranin fisnik urdhëri "shko dhe zgjidh" në gjuhën arabe i është dhënë bletës në gjininë femërore. Kjo në të vërtetë është për t'u habitur, sepse vetëm bleta femër gjen një shtëpi të re.
Mbretëresha dhe punëtoret janë zemra e folesë, ndërsa meshkujt jetojnë të veçuar vetëm për t'u çiftuar me mbretëreshën.
Sipas zbulimeve shkencore, bleta është shumë më e zgjuar se superkompjuterët e sotëm me fuqi të mëdha. Truri i bletës mund t'i kryejë 10 trilion veprime për një sekond.
Në pranverën e vitit 1983 Instituti i Smithsonianit mbajti një simpozium për intelegjencën e insekteve. Në atë simpozium njëri nga hulumtuesit ishte etnologu i njohur Xhejms L. Gould. Në eksperimentet e tij ai paraqiti dëshmi të shumta për rrugët dhe mënyrën si i gjen bleta burimet e reja të ushqimit. Për të arritur këtë, Gould u siguroi bletëve burim të bollshëm dhe të kënaqshëm ushqimi. Më pas ai e çoi ushqimin më larg. Ashtu siç e kishte parashikuar Gouldi, pas disa lëvizjeve të pakta bletët e gjetën vendndodhjen e re të ushqimit.
Bletët ishin të afta që me trurin e tyre të vogël e të lehtë (më pak se 10 miligramë) të nxjerrin përfundime dhe të gjejnë vendndodhjen tjetër të ushqimit. Bleta e kryen gjithë këtë punë duke përdorur shumë më pak fuqi se një kompjuter.
Truri i bletës harxhon më pak se 10 mikrovat. Kjo është rreth shtatë herë më superiore se madhësia e kompjuterëve modern efektivë, të cilët përdorin qindra milion herë më shumë energji për të kryer numër të njëjtë veprimesh.
Siç u tha më lart, ato kanë aftësi të përkryer të fluturojnë në largësi të mëdha drejt burimeve të nektarit dhe pastaj të kthehen në zgjua dhe t'u tregojnë bletëve të tjera ku ndodhen ato burime. Ato përgatitin ushqim të veçantë, që njihet me emrin "xhelatinë mbretërore", dhe bukë blete (pite dylli) për të vegjëlit e tyre. Ato i mbrojnë foletë e tyre duke larguar dhe zmbrapsur armikun.
Nëse në zgjua hyn ndonjë mi apo ndonjë dëmtues tjetër bletët e mbysin me shpejtësi të rrufeshme, duke i balsamosur me propolis. Në këtë mënyrë parapengojnë në mënyrë të mrekullueshme infeksionin në zgjua. Plagët e shëruara me propolis janë mbyllur dhe epitelizuar 30 herë më shpejtë se plagët e shëruara me antibiotik. Këtë e vërtetuan eksperimentet e bëra në institutin Farmakologjik në Bratislavë.
Bletët kontrollojnë klimën në zgjua, duke e freskuar me ajër të pastër dhe duke u spërkatur me ujë gjatë verës, kurse në dimër duke u mbështetur pas njëra-tjetrës për të krijuar ngrohtësi. Kur zgjojet e tyre mbushen plot e përplot, ato janë mjaft të zgjuara të kuptojnë se disa prej tyre duhet të largohen dhe të formojnë koloni të reja.
Bletët e bëjnë gjithë këtë punë pa qenë të ndihmuara apo të drejtuara nga jashtë. Ato punojnë të pavarura, kurse superkompjuterët kanë akoma nevojë për ekipe programuesish, inxhinierësh dhe teknikësh.
Siç thuhet në Kuranin famëmadh:
"...Nga barqet e tyre (të bletëve) del lëng, ngjyra e të cilit është e ndryshme." (En - Nahl, 69)
- që përmban 14-20% ujë, sheqer (fruktozë), dekstrinë, materie azotike, mikroelemente, enzime (invertaza, dijetaza, oksideza, feroksideza) dhe vitamina.
Sipas hulumtimeve shkencore-biokimike, të bëra në 39 lloje të mjaltit, është vërtetuar se mjalti përmban këto elemente të domosdoshme për organizmin:
.
alumini (Al) bakër (Cu)
beriliumi (Be) mangan (Mn)
bor (B) molibden (Mo)
bizmut (Bi) nikel (Ni)
barium (Ba) natrium (Na)
vanadium (V) plumb (Pb)
germanium (Ge) argjend (Ag)
galium (Ga) silicium (Si)
hekur (Fe) stroncium (Sr)
ari (Au) titan (Ti)
kallaj (Sn) fosfor (P)
kalium (K) krom (Cr)
kobalt (Co) zink (Zn)
kalcium (Ca) sulfur (S)
litium (Li) klor (Cl)
magnezium (Mg) zinkonium (Zr)
Elementet që përmban mjalti varen nga llojet e luleve dhe nga përbërja minerale e tokës në rajonin ku bletët thithin nektarin.
Çdonjëri nga elementet e përmendura më sipër ka rëndësinë e vet të posaçme për organizmin e njeriut. P.sh. aluminiumi në organizëm luan rol si antiinflator në mukozën e lukthit dhe të zorrëve dhe është i rëndësishëm për mbajtjen e frytit të shtatëzënisë. Bizmuti shërben si adsrigjent (tëkurrës) dhe është ilaç i fuqishëm kundër sifilisit, kurse vanadiumi e nxit qarkullimin e gjakut dhe ndihmon në eritropoeze (shtimin e rruazave të kuqe). Hekuri i cili në 1kg mjaltë gjendet në sasi prej 11,05 mg, është i domosdoshëm në enzimet e frymëmarrjes së qelizave të organizmit dhe luan rol të veçantë në nxitjen e punës së organeve të gjakut në palcën eshtërore.
Hekuri nxit funksionimin e sistemit nervor, punën e gjëndrave dhe forcon endotelin e kapilarëve të gjakut.
Ari ka rëndësi ilaç kundër infeksioneve në organizëm, sidomos kundër infeksionit tuberkular. Ka veprim të fuqishëm e të shpejtë në sëmundjet e lëkurës (Psoriasis vulgaris) dhe në reumatizmin kronik (Arthritis chr)
Kaliumi është element tjetër përbërësi mjaltit, pa të cilin organizmi nuk mund të ekzistojë. Në 1kg mjaltë ka 495,35 mg kalium dhe natrium. Kaliumi shërben në organizëm si përbërës dhe lidhës i albumineve dhe të glikogjenit, rregullon diurezën (urinimin adekuat) dhe nxjerrjen e këlbazës. Ndërsa kobalti është i pranishëm në mjaltë 0,0001 - 0,0003 %. Mungesa e tij në organizëm shkakton humbje të oreksti, plogështi dhe sëmundjen e quajtur akobaltozë.
Kobalti është pjesë përbërëse e vitaminës B12. Në rajonet biogjeokimike akobaltoza paraqitet me ndryshime në rritje, peshë, zhvillim dhe në sterilitet (shterpësi). Kobalti ndihmon edhe proceset (në ecurinë e vitaminave A, C dhe E) duke ndihmuar enzimet oksiduese të oksigjenit në qelizë.
Një kg mjaltë përmban 40,42 mg kalcium, pa të cilin është e pamundur zhvillimi i organizmit, ekzistimi i botës bimore dhe i botës shtazore. Është element përbërës i protoplazmës qelizore, eshtrave, muskujve dhe sistemit nervor. Jonet e kalciumit aktivizojnë muskulin e zemrës, shpejtojnë procesin e mpiksjes së gjakut, inhibojnë (ndalin) gjakderdhjen. Kalciumi ka edhe efekt diuretik (lehtësues të urinimit), është antiinflamator, antirakitik dhe antialergjik.
Litiumi gjendet 0,02 deri 0,03 % në 1kg mjaltë. Kripërat e litiumit kanë efekt antirakitik, zbërthejnë thartirën urinike, mundësojnë diurezën dhe ndihmojnë shkëmbimin azotik në muskuj.
Magneziumi gjendet në sasi prej 18,88 mg në 1kg mjaltë. Kripërat e magneziumit veprojnë si laksansë, kanë efekt sedativ (qetësues) në sistemin nervor, rregullojnë frymëmarrjen, pengojnë spazmat tetanogjene, ngadalësojnë ritmin e zemrës, lehtësojnë shkëmbimin endoqelizor, aktivizojnë sistemin reikuloendotelial, neutralizojnë produktet toksike (helmuese) të metabolizmit dhe forcojnë imunitetin dhe fagocitozën.
Në 1kg mjaltë ka bakër prej 0,001 - 0,1 %. Mungesa e bakrit në organizëm shkakton rënien e qimeve, depigmentimin e lëkurës, aneminë, si dhe shkakton pengesa në krijimin e elementeve të gjakut.
Në 1kg mjaltë ka 8,93 mg mangan. Mungesa e manganit në organizëm shkakton pengesa në rritje, në shumëzimin e qelizave dhe eritropoezë (krijimi i rruazave të kuqe të gjakut). Zvogëlimi i sasisë së manganit shkakton më tej pengesa në formimin dhe në zhvillimin e eshtrave, duke ndikuar në metabolizmin e kalciumit e të fosforit. Mangani ndihmon sintezën e vitamins C, stimulon gjëndrën mbiveshkore dhe aktivizon sistemet enzimatike në qeliza.
Një kg mjaltë përmban 0,0001 - 0,003 % molibden. Është konstatuar se molibdeni përforcon procesin e fagocitozës në gjak, zvogëlon sasinë e bakrit në mëlçi dhe mundëson sintezën e vitaminës C te bimët e kafshët.
Nikeli gjendet në sasi prej 0,0001 - 0,003 % në 1kg mjaltë. Nikeli i shërben organizmit për rritjen e numrit të rruazave të kuqe të gjakut dhe hemoglobinës, gjithashtu ka efekt hipotensiv (ul tensionin e gjakut) dhe zvogëlon nivelin e sheqerit në gjak.
Natriumi gjendet në sasi prej 1% në 1kg mjaltë. Mungesa e natriumit shkakton dobësim të muskujve në organizëm, rraskapitje, humbje oreksi, etje, vjellje dhe pengesa në funksionimin e veshkave.
Siliciumi gjendet në sasi prej 0,3 - 1 % në 1kg mjaltë. Është mikroelement me rëndësi të veçantë për shtatëzënat dhe lehonat. Mungesa e tij në gjak te femrat shkakton abortin.
Stronciumi gjendet në sasi prej 0,01 - 0,03 % në 1kg jaltë. Ky element mundëson punën e rregullt të veshkave.
Zinku gjendet në sasi prej 0,0001 - 1 % në 1kg mjaltë. Mungesa e zinkut në organizëm shkakton pengesa në shumëzimin e qelizave, rritjen e tyre dhe në krijimin e hemoglobinës dhe të ritogjenezës. Ndikon gjithashtu në aktivitetin e fagocitozës në gjak, zvogëlon sasinë e yndyrës në mëlçi dhe të sheqerit në gjak. Zinku ka rëndësi të veçantë, ngase është element përbërës i enzimit të frymëmarrjes - karboanhidraza.
Sulfuri është stimulator natyror i zorrës së trashë me efekt purgativ, ndihmon detoksidimin e organizmit të helmuar me metale të rënda (plumb, bakër, zhivë), aktivizon funksionin antioksik të mëlçisë, rregullon sintezën e glikogjenit, ka ndikim pozitiv në kalljet e nyjave dhe ka efekt keratolitik dhe antiprotozoik në organizëm.
Shumë mjekë (Hojdak, Palmer, Tonkari, Vivino, etj.) kanë zbuluar gjashtë vitamina në mjaltë (B1, B2, B3, B5, B6 dhe C) me anë të metodave moderne të hulumtimit.
Vitamina B1 (aneurina) gjendet në sasi prej 0,1 mg në 1kg mjaltë. Kjo vitaminë mundëson punën normale të sistemit nervor, mban tonusin normal të lukthit dhe të zorrëve, rregullon metabolizmin e karbohidrateve, eliminon acidin urik nga organizmi, mbron dhëmbët nga kariesi dhe ka efekt qetësues në sistemin nervor.
Vitamina B2 (riboflavina) gjendet në sasi deri në 1,5 mg në 1kg mjaltë. Është përbërësi kryesor i enzimit të frymëmarrjes qelizore, lehtëson shkëmbimin e karbohidrateve, yndyrave dhe hekurit. Ka efekt antialergjik.
Vitamina B3 (acidi pantotetik) gjendet në sasi prej 2 mg në 1kg mjaltë. Merr pjesë në ndërtimin dhe në funksionimin e lëkurës, të qimeve dhe të mukozave.
Vitamina B5 (PP - acidi nikotik) gjendet në sasi deri në 1 mg në 1kg mjaltë. Merr pjesë në proceset e shkëmbimit të karbohidrateve, rregullon funksionimin e indit lëkuror, sistemit nervor, qarkullimit periferik të gjakut, mbron parenkimin e mëlçisë dhe ndihmon proceset oksidative në organizëm.
Vitamina B6 (piridoksina) gjendet në sasi prej 5 mg në 1kg mjaltë. Kjo vitaminë normalizon tonusin e sistemit nervor, të indit lëkuror dhe erenisë së tretjes.
Vitamina C (acidi askorbik) gjendet në sasi prej 30-50 mg në 1kg mjaltë. Është i domosdoshëm për shkëmbimin normal në inde, në frymëmarrjen qelizore, aktivizon protombinën, ndihmon në proceset pigmentuese, në formimin e antitrupave në organizëm, ndikon në përbërjen strukturore të eshtrave, muskujve, dhëmbëve, enëve të gjakut, rregullon permabilitetin e endotelit kapilar, ka efekt sedativ (qetësues), ngrit vitalitetin e organizmit të njeriut, stimulon rritjen dhe aktivizon qarkullimin e gjakut.
Vitamina K (faktori antihemorragjik) ndihmon në normalizimin e procesit të mpiksjes së gjakut, merr pjesë në sintezën e protombinës. Mungesa e kësaj vitamine ngadalëson mpiksjen e gjakut dhe zgjat kohën e gjakderdhjes.
Sipas akademik Filatov-it, mjalti përmban edhe stimulator biogjenë, të cilët e ngrisin vitalitetin e organizmit. Është vërtetuar se 1kg mjaltë ka 3150 kalori, kurse gjatë ditës njeriut i nevojiten mesatarisht 2800-3000 kalori.
Mjalti ka veti antibakterore (zhduk bakteret) e veçanërisht të baktereve: staphilococus, aureus, streptococus, haemolyticus, corynebacterium dipheriae, eschrichia coli, klebsiella pneumoniae, pseudomonas pyocynea, shigela Flexneri, bacillus anthracis, bacillus mesentericus dhe monilia albicans.
Mjalti si ilaç shërues dhe terapeutik.
Ibën Sinai (Avicena) shkruan: "Mjalti e freskon shpirtin, jep fuqi, ndihmon tretjen, mundëson nxjerrjen e këlbazës, shton oreksin, ruan freskinë rinore, rigjeneron mendjen dhe intelektin."
Mjalti si ilaç përdoret kundër këtyre sëmundjeve:
.
të lëkurës;
të organeve të tretjes (gastriti, ulqera në lukth dhe duoden, si dhe kalljet e zorrëve);
të mëlçisë;
të veshkave;
të zemrës;
të sistemit nervor;
të anemisë;
të syrit;
të organeve gjenitale te femrave;
të organeve të frymëmarrjes dhe sëmundjeve alergjike.
Muhammedi a.s. në hadith ka thënë: "Shërbehuni me dy ilaçe: mjaltin dhe Kuranin(i pari për trup, i dyti për shpirt dhe trup)."
Ndërsa Ebu Hurejre r.a. tregon: "Kisha shkuar tek i Dërguari i Zotit, kur erdhi një njeri dhe i tha se vëllai i tij vuante nga shkuarja e barkut. Muhammedi a.s. e këshilloi që për këtë i vëllai të përdorte mjaltin. Ky njeri shkoi dhe pas pak kohe erdhi përsëri dhe i thotë: "Ia dhashë mjaltin, por nuk pati dobi." I Dërguari i Zotit i tha përsëri që të shkojë e t'i jap mjaltë. Ky shkon e kthehet përsëri duke i thënë se e kreu urdhërin, por gjendja e vëllait nuk po përmirësohej. Për herë të tretë i Dërguari i Zotit i thotë: "Shko e jepi mjaltë!"
Kur kthehet për herë të tretë, duke i thënë se i kishte dhënë mjaltë, por gjendja e të sëmurit është po ajo, atëherë i Dërguari i Zotit i tha: "Allahu e ka thënë të vërtetën, por barku i vëllait tënd është duke gënjyer."
Më vonë ky përsëri vjen dhe e njofton se i vëllai është më mirë.
Në një rast tjetër, duke folur për cilësitë e besimtarit të vërtetë, Muhammedi a.s. ka thënë: "Kur ushqehet - ushqehet pastër, kur punon - punon bukur (mirë), kur bie mbi fletën e barit (ose të lules) as nuk e thyen, as nuk e gërvisht atë."
Duke udhëzuar as'habët dhe ithtarët e tij, i Dërguari i Zotit bëri krahasim paralel ndërmjet bletës, këtij insekti të vogël që punon me frymëzim (instikt), dhe besimtarit të sinqertë.
Bleta është tejet aktive, e palodhshme dhe me mrekulli të veçantë ndërton shtëpinë e saj, e ruan shoqërinë e vet dhe prodhon ilaç të mrekullueshëm dhe shërues - mjaltin, duke u ushqyer vetëm me atë që zgjedh - me nektar të pastër, e jo me nektarin e bimëve të hidhura dhe helmuese. Kësaj, pra, duhet t'i përngjajë edhe besimtari i vërtetë. ai nuk duhet të ushqehet me ushqime të ndalura, por vetëm me atë që i është lejuar.
"Nga barqet e tyre (të bletëve) del lëng, ngjyra e të cilit është e ndryshme dhe në të cilin ka shërim (bar-ilaç) për njerëz." (En - Nahl, 69)
Pikërisht i këtillë duhet të jetë edhe besimtari. Ai duhet të thotë fjalë të bukura e të ëmbla si mjalti, fjalë që shërojnë zemrat e njerëzve. Ai nuk duhet të flasë rëndë e t'i lëndojë të tjerët.
Bleta, siç thotë Muhammedi a.s., nuk e thyen as nuk e gërvisht as fijen e barit, prandaj edhe besimtari i vërtetë, që ka edukatë të pastër islame, sillet bukur, bën vepra të bukura pa ofenduar e pa tradhtuar të tjerët.
Në këtë mënyrë, pra, mund të mësojmë e të marrim shembull edhe nga bleta. Mund të mësojmë si të veprojmë në jetën tonë të përditshme, si t'i shfrytëzojmë begatitë që na ka dhuruar Allahu, duke mos harruar asnjëherë edhe ilaçin tonë shpirtëror e dritëdhënës - Kuranin e madhërishëm, dhe duke i përjetësuar dhe duke i zbatuar në jetë këshillat e udhëzimet e tij.