Fjala abdest rrjedh nga gjuha persiane dhe përbëhet prej dy fjalëve: āb – ujë, dhe dest – dorë. Në gjuhën arabe për nocionin abdest, është fjala ‘el-vuduu’ dhe rrjedh prej fjalës ‘vedue’‘jevduu’ ‘vuduen’ dhe ‘vedaaeten’ që do të thotë: bëhem i mirë, i bukur, i pastër. Ndërsa, ‘el-vuduu’ (abdesti) si term fetar nënkupton larjen dhe fërkimin me qëllim (nijet) të caktuar të pjesëve të caktuara të trupit, e të cilat janë: koka, fytyra, duart dhe këmbët.
Përmbajtja e abdestit
Abdesti si ritual fetar, ka formën e vet unikate, si për kryerjen e një ibadetit që është farz, vaxhib, sunnet, nafile, apo mendub, për të gjithë është njësoj. Ai përbëhet prej farzeve dhe sunneteve. Farzet e abdestit, e pa të cilat abdesti nuk është i vlefshëm, janë katër sosh: 1) Larja e fytyrës (një herë), 2) Larja e duarve deri në bërryla (një herë), 3) Fshirja e pjesës së caktuar të kokës (një herë), dhe 4) Larja e këmbëve (një herë). Këto kondita kanë ardhur në citatin kur’anor në vijim:
“O Ju që besuat! Kur doni të ngriteni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla; fërkoni kokat tuaja, e këmbët lani deri në dy zogjt…” (El-Maide, 6).
Sunetet e abdestit, e të cilat ndikojnë në kompletimin e abdestit dhe përsosjen e tij, janë: 1) Nijeti; 2) Larja e duarve deri mbi nyjat (në fillim të abdestit), madje rekomandohet që duart të fërkohen mirë; 3) Të fillohet me të përmendurit e emrit të Zotit; 4) Pastrimi i dhëmbëve me misvak; 5) Shpërlarja e gojës “madmada” – tri herë; 6) Shpërlarja e thellë e hundës “istinshak’ – tri herë; 7) Të fërkuarit e tërë kokës “mes’h”; 8. Të fërkuarit e veshëve me dorë të lagur; 9) Të fërkuarit mirë në mes gishtave (të dorës dhe këmbës); 10) Të fërkuarit e mjekrës me gishta; 11) Gjithçka që lahet të lahet nga tri herë; 12) Gjatë abdestit gjymtyrët të lahen njëra pas tjetrës (tertib), ashtu siç janë cekur në Kur’an: së pari lahet fytyra, pastaj duart deri mbi bërryla, pastaj fërkohet koka – mes’h dhe në fund lahen këmbët deri në nyja; 13) Larja e çdo gjymtyre të fillojë nga e djathta, p.sh. së pari lahet dora e djathtë e pastaj e majta, këmba e majtë e pas saj e majta, etj.; 14) Që të mos ketë ndërprerje gjatë larjeve të gjymtyrëve (d.m.th. ta lajmë fytyrën e pastaj të presim disa minuta e t’i lajmë duart deri në bërryla etj.); 15) Të fërkohet qafa me mes-h.
Këto kanë ardhur në shumë hadithe të Pejgamberit a.s.. Prej tyre edhe hadithi, të cilin e transmeton Humrani, rob i liruar i Osmanit r.a., i cili ka treguar se Osmani r.a. ka kërkuar një enë me ujë, dhe mori abdest në këtë mënyrë:
“I lau duart deri mbi nyje tri herë; e shpërlau gojën dhe hundën deri në thellësi tri herë; e lau fytyrën tri herë; e lau dorën e djathtë deri mbi bërryl tri herë, e lau dorën e majtë gjithashtu deri mbi bërryl tri herë; e fërkoi me dorë të lagur kokën, pastaj e lau këmbën e djathtë deri mbi nyje dhe njëjtë veproi me këmbën e majtë, e pastaj tha: e kam pa të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. se ka marr abdest identik sikurse që mora unë, dhe ka thënë: Kush merr abdest sikurse unë, e pastaj i falë dy rekate namaz, pa menduar fare për ndonjë interes personal, do t’i falen gabimet (e vogla) të cilat i ka bërë më parë.”
Abdesti, po ashtu ka adabet e tij (gjërat që rekomandohen gjatë abdestit), pastaj mekruhet e tij (gjërat që urrehen gjatë abdestit) dhe ato që e prishin abdestin.
Abdesti, për të qenë i plotë, duhet të realizohet në formën adekuate, duke mos pakësuar asgjë gjatë larjes. Kjo ka rëndësi të madhe, sepse ndikon në vlefshmërinë e abdestit. P.sh. larja e krahëve duhet të bëhet ashtu si duhet, pra, gjerë mbi bërryla, apo fytyra duhet të lahet deri te kufizimi i mjekrrës, pastaj këmbët duhet të lahen deri mbi zogj, e kështu me radhë për të gjitha pjesët tjera. Nëse muslimani nuk e përmbushë larjen si duhet, ai e ka dëmtuar abdestin e vet dhe ia ka pakësuar vlerën, madje edhe mund ta çvlerësojë të tërin. Pejgamberi a.s. me një rast, njeriut që nuk e kishte përmbushur abdestin si duhet i kishte thënë:
“Kthehu dhe merr abdest në mënyrë të drejtë.” Ndërsa, me një rast tjetër, e ka pa një grup njerzish që nuk i lanin si duhet shputat e këmbëve, dhe i kishte çortuar me zjarrë të xhehennemit. Këtë e transmeton Muhamed bin Zijad, i cili thotë:
E kam dëgjuar Ebu Hurejren r.a. kur pat kaluar pranë nesh, e ne duke marrë abdest nga një enë, kur tha: “Merrni abdest ashtu si duhet, sepse Ebu’l-Kasimi (Pejgamberi s.a.v.s.) ka thënë: Mjerë shputat (që do të digjen) nga zjarri i xhehennemit!”
Abdesti, traditë e pejgamberëve
Dijetarët e biografisë së Pejgamberit a.s. janë unikë se abdesti dhe gusli (larja e tërë trupit) janë bërë farz (obligim i domosdoshëm) në Mekkë, bashkë me namazin, nëpërmjet mësimit të Xhibrilit a.s. Mirëpo, Pejgamberi a.s. ka bërë namaz edhe para se të bëhej obligim namazi, dhe asnjëherë nuk ishte falur pa abdest. Këtë praktikë Pejgamberi a.s. e ka mbështetur në shpalljet e kaluara para shpalljes së Kur’anit, dhe ka dëshmuar se abdesti ka qenë traditë edhe e pejgamberëve tjerë para tij. Transmeton Ahmedi dhe Dare Kutniu nga Ibni Omeri r.a., se Pejgamberi a.s. ka kërkuar ujë dhe ka marr abdest duke i larë pjesët e abdestit nga tri herë, dhe në fund ka thënë:
“Ky është abdesti im dhe abdesti i pejgamberëve të tjerë para meje”
Prandaj, parimisht, Pejgamberi a.s. e ka pasuar rrugën e pejgamberëve të tjerë në abdest. E, dihet se një normë e shpalljeve të kaluara, të cilën nuk e ka anuluar e as abroguar Allahu dhe i Dërguari i Tij, është normë edhe për ne, ummetin e Muhamedit a.s. Ndërsa ajeti i Kur’anit (El-Maide, 6), që e obligon abdestin, veçse e konfirmon një normë të vërtetuar.
Abdesti, pastrim nga ndyrësia kuptimore
Fakti që abdesti implikon larje të pjesëve të caktuara të trupit, lë përshtypjen se qëllimi i tij përfundimtar është pastërtia, dhe asgjë më shumë. Është e vërtetë se abdesti ka një ndikim në këtë aspekt, ngase realizohet duke pastruar ato pjesë të trupit që kanë më së shumti kontakt me ambientin, dhe që shprehimisht mund të ndyren. Por, nëse e vështrojmë me kujdes synimin e abdestit, ai i tejkalon përmasat e pastërtisë trupore, dhe se synimi esencial i tij, është pastrimi në aspektin kuptimor dhe shpirtëror. Sepse, në vijim do të shohim se ‘pastërtia’ dhe ‘ndyrësia’ nuk janë vetëm lëndore, por janë edhe kuptimore.
Pastërtia (et-tahaaretu), në kontekstin gjuhësor, është nga dy aspekte: nga aspekti lëndor (his-sijj), dhe kuptimor (ma’nevijj). Pastërtia nga aspekti lëndor ka të bëjë me pastrimin e një ndyrësie të dukshme, sikurse është urina, jashtëqitja, etj. Ndërsa, pastërtia nga aspekti kuptimor, ka të bëjë me pastrimin e një ndyrësie të padukshme, por që sheriati e ka konsideruar ndyrësi, dhe ajo besohet si e tillë. Në këtë kuptim është ajo që e ka thënë Pejgamberi a.s. për sëmundjen se është pastrim prej mëkateve, pra pastrim nga aspekti kuptimor (ma’nevijen). Transmeton Ibni Abbasi r.a., se Pejgamberi a.s. kur e vizitonte ndonjë të sëmur, thoshte: “Nuk ka gjë të keqe, është pastrim prej mëkateve, nëse do Allahu” , dhe thoshte “Sëmundja pastron prej mkëkateve” (
Po ashtu, edhe ndyrësia (en-nexhaasetu - në kontekstin gjuhësor është lëndore (his-sijj) dhe kuptimore (ma’nevijj). Nocioni ‘en-nexhasetu’- ndyrësia, përfshinë ndyrësinë lëndore (el-habeth), pra atë që duket sikurse është: gjaku, urina, jashtëqitja etj., dhe ndyrësinë kuptimore (el-hadeth), pra ajo që nuk duket, sikurse janë mëkatet (edh-dhunub), ndyrësia e idhujve, etj. Bazuar në këtë, juristët islamë, fjalën ‘el-hadeth’ (ndyrësia kuptimore), e kanë bërë nocion të veçantë për ndyrësitë kuptimore – të padukshme që nënkupton gjykimin e sheriatit për një gjendje, për të cilën ka vendosur Allahu se është ndyrësi, sikurse është xhenabeti (gjendja pas marrëdhënieve intime) dhe gjendja pa abdest. Ndërsa, fjalën ‘el-habeth’ (ndyrësia lëndore) e kanë bërë të veçantë për ndyrësitë lëndore - të dukshme ( sikurse është gjaku…, etj..
Duke marrë për bazë, se abdesti është pastrim nga hadethi – ndyrësia kuptimore, qartësohet se abdesti mbi të gjitha është në kuptim të afrimit tek Allahu i Lartësuar dhe pastaj edhe në kuptim të pastrimit nga ndonjë ndyrësi eventuale e jashtme.
Për ta konkretizuar atë që dëshirojmë ta themi, le ta sjellim si shembull, rastin e një muslimani, që ka marrë abdest dhe e ka larë tërë trupin, mirëpo sapo ka dalë nga banja, me padashje ka lëshuar diç prej gazrave organike (fendë apo pordhë). Sipas rregullave të sheriatit, dalja e gazrave e prish abdestin dhe kjo është e vërtetë dhe e drejtë. Në anën tjetër, logjikisht, akti i tillë, nuk paraqet ndonjë veprim, që e ka ndyrë trupin e muslimanit, gjersa trupi i tij, të themi shprehimisht, ende nuk është terur nga larja e madhe (gusëli). Tani, muslimani i njëjtë për të falur namazin, obligohet që ta përsërisë abdestin. Shtrohet pyetja, ky abdest i përsëritshëm, çfarë do të pastrojë? Çfarë ndyrësire do të evitojë nga trupi i tij, kur dihet se ai sapo e ka larë tërë trupin? Aq më tepër, kur dihet se në përmbajtje të abdesit nuk kushtëzohet larja e prapanicës, që në këtë rast e ka prishur abdestin. Përgjigja është se asgjë nuk ka çfarë të pastrojë, sepse të gjithë trupin e ka të pastër, por gjykimi i sheriatit është se ai pa abdest nuk mund të falë namaz, sipas hadithit të Pejgamberit a.s., të cilin e transmeton Ebu Hurejra r.a.
“Nuk pranohet namazi i asnjërit nga ju, që është i papastër, derisa të marrë abdest.”
Rrjedhimisht, gjersa ai nuk mund të falë namaz, do të thotë se ai edhe më tej është i papastër, pa marrë parasysh se e ka trupin e pastër nga larja e madhe. E pra, pikërisht këtu qëndron esenca e çështjes. Për çfarë papastërti (ndyrësi) bëhet fjalë në këtë hadith, respektivisht për gjendjen pa abdest, për lëndore apo kuptimore? E vërteta është se bëhet fjalë për papastërti kuptimore (ma’nevijen), dhe jo lëndore (hisijjeten). Prandaj, muslimani konsiderohet i papastër (kuptimisht), gjersa të marrë abdest. Mirëpo, i papastër vetëm kur është fjala për kryerjen e një ibadeti fetar, sikurse është namazi, tavafi rreth Qabesë, etj., po jo edhe në gjendjen normale, jashtë ibadetit. Ngase dihet se në jetën normale, nuk mund t’i thuhet një muslimani i papastër, vetëm pse nuk ka abdest. Nisur nga kjo, rekomandohet që fjala ‘hadeth’ – papastërti, të lexohet si ‘papërgatitje’ për të falur namaz, e jo si papastërti lëndore.
Në analogji me këtë perceptim të realitetit esencial të abdestit, është perceptimi i gjendjes së pabesimtarit në raport me muslimanin. Pabesimtari konsiderohet ‘i ndyrë’, për shkak të mosbesimit të tij, e që është ndyrësi kuptimore, dhe jo për shkak të ndyrësisë lëndore. Sepse, sa i përket ndyrësisë lëndore, ai mund ta evitojë atë, dhe të bëhet i pastër, por, përkundrazi, edhe kur pastrohet nga ajo, edhe atëherë konsiderohet i ndyrë dhe i papastër, e tëra kjo për shkak të mosbesimit. Në lidhje me këtë, Allahu i Lartësuar ka thënë:
“O ju që besuat, vërtetë idhujtarët janë të ndyrë…” (Et-Tevbe, 28).
Për dallim nga besimtari i cili konsiderohet i pastër, edhe atëherë kur është i papastër, qoftë me ndyrësirë të dukshme (el-habeth), apo të padukshme (el-hadeth). Në të gjitha rastet, muslimani është esencialisht i pastër, e tëra për shkak të imanit të tij në Allahun e Lartësuar. Kështu e ka cilësuar Pejgamberi a.s. në thëniet e tij. Transmeton Ebu Rafiu nga Ebu Hurejra i cili ka thënë se më ka takuar Pejgamberi a.s. në një rrugë të Medinës, e unë duke qenë xhunub, u fsheha nga ai. Pastaj, shkova, u pastrova dhe u ktheva. Pejgamberi s.a.v.s. më pyeti: “Ku ishe, o Ebu Hurejre?. Qeshë xhunub dhe duke qenë i papastër, nuk e pash të arsyeshme që të të shoqëroj. Pejgamberi a.s. tha:
“Subhanallah – i Lartësuar qoftë Allahu, muslimani nuk është i ndyrë, ai në esencë është i pastër.”
Prandaj, abdesti në esencë e synon pastrimin e njeriut nga aspekti kuptimor (manevij), dhe se abdesti nuk merret, eskluzivisht për të mënjanuar një ndyrësirë të dukshme nga pjesët e caktuara të trupit që përshkohen me larjen e abdestit, por mbi të gjitha për të reflektuar çiltërsinë shpirtërore, që reflekton madhështinë e impulseve të besimit të vërtetë dhe koncentrimin e vtëdijshëm të besimtarit për të zbatuar akëcilin obligim fetar. Kjo bëhet akoma më e qartë kur është fjala për marrjen e abdestit, duke patur abdest. Marrja e abdestit për çdo namaz është sunnet i Pejgamberit a.s.. Nëse muslimani ka abdest, ai konsiderohet i pastër nga hadethi – ndyrësia e dukshme, mirëpo marrja e abdestit mbi abdest, nuk mund të ketë karakter tjetër, pos devotshmërisë.
Abdesti, koncentrim permanent për adhurim ndaj Krijuesit
Pa dyshim, abdesti ka një rol të jashtëzakonshëm në koncentrimin e muslimanit për adhurim ndaj Allahut. Madje, ky është synimi i vërtetë i abdestit. Si i tillë është një pararojë për ato ibadete fetare, për kryerjen e të cilave obligohet abdesti. Për shembull, abdesti para namazit, ndikon që besimtari, të fillojë të mendojë më herët për faljen e namazit, e jo të fillojë faljen e namazit, pa kurrfarë koncentrimi paraprak. Fakti se abdesti merret para namazit, i përkujton muslimanit ardhjen e namazit, dhe e aktivizon vetëdijën besimore të tij, që në namaz të hyjë i koncentruar dhe i vëmendshëm për të.
Këtij qëllimi, shprehimisht i shërben edhe falja e namazeve “sunnete” para farzit dhe pas tij, si dhe “ikameti”, që bëhet para namazit farz. Falja e sunneteve është një pararojë e farzeve. Muslimani që i fal sunnetet, ai gjithësesi i falë edhe farzet. Por, muslimani që e bën shprehi lërjen e syneteve, ai e ka rrënuar një pararojë të farzeve, dhe ndonjëherë mund ta lëshojë edhe farzin. Në këtë kontekst, edhe ‘ikameti’, që sinjalizon momentin kur duhet të fillojë namazi, konsiston se muslimani duhet të tregojë gatishmëri për namaz, duke arritur koncentrimin përfundimtar. Këto rituale, pra ‘abdesti’, ‘synetet’ dhe ‘ikameti’, ndikojnë në shkëputjen e vetëdijës së muslimanit nga veprimet e ‘dunjallëkut’ që ka qenë duke i bërë, para se të fillojë përgatitjen për namaz. Në anën tjetër, hyrja drejtpërdrejt në namazin farz, shpeshherë bartë me vete refleksionet e veprimeve të kaluara në brendësi të namazit, më se shkakton dekoncentrimin e muslimanit, që namazin ta kryejë në mënyrën e duhur dhe me përkushtim.
Abdesti të njëjtin rol, pra të koncentrimit për adhurim të Allahut, e ka edhe pas namazit. Kur muslimani kujdest që ta ruajë abdestin, me qëllimin që ta falë namazin e kohës së radhës, ai ka shprehur një intersim dhe koncentrim të vazhdueshëm për kontrollimin e vetëdijës së tij besimore nëpërmjet vetvetes, respektivisht nëpërmjet abdestit, deri në namazin e ardhshëm, apo derisa sa ka abdest. Gjatë kësaj kohe, muslimani mund të pluhuroset, siç është rasti me atë që punon në zdrukthtari apo në ndonjë vend ku pluhuri është i paevitueshëm, apo të baltoset, sikurse është ai që punon nëpër kanale. Mirëpo, nëse nuk ka bërë ndonjë veprim që e prish abdestin, sikurse është lëshimi i gazrave nga anusi, urinimi etj., ai edhe më tej ka abdest.
Ky konstatim është edhe një argument se synimi i abdestit është mbi të gjitha koncentrimi për lidhjen permanente me Krijuesin dhe jo vetëm pastërtia nga ndyrësia. Sipas këtij koncepti është mendub – vepër e rekomandueshme që myslimani të qëndrojë gjithmonë me abdest, pa marrë parasysh kohën dhe momentin. Madje me abdest të flejë në mbrëmje. Kështu ka vepruar i Dërguari i Allahut s.a.v.s.
Po ashtu, se abdesti ka për synim koncentrimin e muslimanit për lidhje me Krijuesin, dëshmon edhe fakti se Pejgamberi a.s. kur ka patur marrdhënie intime me gruan, dhe ka dashur të flejë pa u larë, ka marrë abdest dhe pastaj ka fjetur. Transmetohet se Umer bin El-Hattab e kishte pyetur Pejgamberin a.s.:
“A mund të flejë xhunub ndonjëri nga ne? Pejgamberi a.s. tha: Po, kur merr abdest duke qenë xhunub, le të flejë?
Pra, Pejgamberi a.s., ka rekomanduar që muslimani të marrë abdest, e pastaj të flejë. Ky akt, ka një mençuri të madhe, dhe nuk mund të perceptohet thjesht si një pastërti. Me këtë rast, i kemi parasysh të gjitha thëniet se abdesti i tillë duke qenë xhunub e zvogëlon ndyrësinë (يخفف الحدث), pasiqë bëhet larja e disa pjesëve të caktuara, apo se abdesti është ‘gjysma e larjes së madhe” (نصف غسل الجنابة), dhe thënia të tjera. Por, sikundër kësaj është hadithi tjetër, të cilin e transmeton imam Bjhekiu me transmetim ‘të mirë’, nga Aisheja r.a., se:
“Pejgamberi a.s. kur bëhej xhunub dhe dëshironte të flejë, merrte abdest ose tejemum.”
Sipas këtij hadithi, marrja abdest në gjendje të xhenabetit (gjendja pas marrëdhënieve intime), bëhet me qëllim të koncentrimit të muslimanit për lidhje me Krijuesin. Sepse, Pejgamberi a.s. në mungesë të ujit për abdest, ka marrë tejem-mum (fërkimi i fytyrës dhe krahëve me dhé të pastër në mungesë të ujit), e dihet se tejm-mumi, nuk ndihmon asgjë në pastërti. Kjo, do të thotë se qëllimi i abdestit duke qenë xhunub, bartë një simbolikë të thellë besimore. Sepse, kur muslimani bëhet xhunub, dhe dëshiron të flejë, disi mbetet në një gjendje të pa përkufizuar të vetvetes, apo të themi i pavëmendshëm për vetveten e tij, në raport me Allahun, për sa kohë që ai duhet të tregojë koncentrimin e vazhdueshëm në përkujtim të Allahut. Në çdo moment duhet ta kujtojë madhërinë e Allahut Krijues dhe pozitën e vetvetes si qenie e krijuar dhe në varshmëri. Prandaj, kur merr abdest, njeriu ka treguar një koncentrim të këtillë besimor, dhe e zë gjumi me këtë koncentrim. Veç kësaj, ky veprim tregon gatishmërinë e muslimanit për lidhje të vazhdueshme me Krijuesin, edhe duke qenë në gjendje të papastër.
Abdesti, falje e mëkateve
Abdesti, i cili realizohet në mënyrë të drejtë, dhe me qëllim të afrimit tek Allahu, ndikon në shlyerjen e mëkateve të vogla. Madje, Imam Muslimi, në “Sahihun” e tij, te pjesa e ‘pastërtisë’ (et-taharetu), e ka titulluar një kaptinë: “shlyerja e mëkateve me ujin e abdestit” (خروج الخطايا مع ماء الوضوء). Në hadithin, të cilin e transmeton Ebu Hurejra r.a. i Dërguari i Allahut ka thënë:
“Kur muslimani apo besimtari merr abdest dhe e lan fytyrën e tij me ujë, bashkë me ujin ose me pikën e fundit të tij shlyet çdo mëkat nga fytyra, të cilin e ka bërë duke shikuar me sytë e tij. Kur t’i lajë duart e tij, bashkë me ujin apo me pikën e fundit të tij, do t’i shlyhet çdo mëkat, të cilin e ka prekur më parë me duart e tij. Kur t’i lajë këmbët e tij, bashkë me ujin apo me pikën e fundit të tij, do të shlyhet çdo mëkat, që kanë shkelur në të këmbët e tij, e kur të përfundojë abdestin mbetet i pastër nga mëkatet.”
Abdesti, dritë në dy botërat
Dijetari i madh i hanefinjve, Ibni Abidini r.h., në veprën e tij madhore “Red-dul Muhtar”, kur flet për gusëllin mbi gusëll dhe tejem-mumin mbi tejem-mum, thotë se janë të panevojshëm, ndërsa për abdestin mbi abdest, thotë se është “dritë mbi dritë”
Njeriu, që merr abdest me qëllim të afrimit tek Allahu i Lartësuar, në ballin e tij do të shkëlqejë drita e imanit, ajo dritë që dikur Ademi a.s. e kishte pa në ballin e një pasardhësi të tij prej ummetit të fundit. Transmetohet se kur Allahu i Lartësuar e pati krijuar Ademin a.s., dhe nga shpina e tij i kishte krijuar të gjithë pasardhësit e tij që do të ekzistojnë deri në ditën e Kijametit, për t’ia komunikuar se Ai është Zot i tyre, secilit prej tyre në mes të dy syve (në ballë) ia kishte vendosur një shkëlqim prej drite. Hazreti Ademi, e pa një njeri në mesin e tyre, dhe u çudit nga shkëlqimi i fortë që ai e kishte në ballë
Pa dyshim, kjo dritë, mbase është drita e imanit të fortë, që e zbukuron ballin e secilit musliman, që i respekton urdhërat e Allahut. E Abdesti është pjesë e këtij zbukurimi dhe i këtyre urdhërave.
Ndërsa në botën tjetër, pjesët e trupit që janë larë gjatë abdestit, do të shkëlqejnë. Madje, muslimanët do të vlerësohen sipas madhësisë dhe fortësisë së këtij shkëlqimi. Transmeton Nuajm bin Abdilah se e ka parë Ebu Hurejren r.a., duke marrë abdest, e i cili e lau fytyrën e tij dhe duart e tij gati deri te shpatullat, pastaj i lau këmbët e tij gati deri në gjunjë, pastaj tha: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë:
“Në ditën e Kijametit, umeti im do të thirret sipas shkëlqimit (bardhësisë) të gjurmëve të abdestit, të cilat kanë mbetur në gjymtyrët e abdestit. Për këtë arsye kush ka mundësi prej jush që ta zgjasë edhe më shumë shkëlqimin e tij (në gjymtyrët e abdestit) le ta bëjë atë!”
Ky hadith, e stimulon besimtarin që ta zgjerojë abdestin përtej limiteve të tij, e assesi mos ta pakësojë atë. Domethënë, kur e lan fytyrën dhe ballin është mirë të përfshijë pak edhe kokën, apo kur i lan krahët, të shkohet pak mbi bërryla e kështu me radhë. Sepse, gjurmët e abdestit do të reflektojnë bardhësi në ditën e Kijametit. Por, kjo bardhësi, duhet thënë se rrënjët i ka në vetëdijën besimore të muslimanit, i cili, abdestin e ka kryer me vetëdijën se është duke kryer një ibadet dhe vepër të dashur tek Allahu. Sepse, dihet, ka shumë vepra që njeriu i bën, por nëse ato nuk shoqërohen me impulset e imanit të muslimanit, nuk e kanë shpërblimin tek Allahu i Lartësuar. Këtu, roli imanit na del i jashtëzakonshëm. Fundja, abdesti e ka këtë kuptim vetëm mbi bazën e bindjes së drejtë dhe të ‘nijetit’ të abdestit. Në të kundërtën, ai mbetet vetëm një veprim rutinë, pa kurrfarë kualifikimi. Përveç kësaj, shkëlqimi do t’i dallojë ata, të cilët e kanë realizuar abdestin në mënyrë të drejtë dhe të plotë, nga ata që nuk e kanë bërë të njëjtën.
Abdesti, gradim i muslimanit në Ditën e Kijametit
Në një hadith, të cilin e transmeton Ebu Hurejra r.a., bëhet e ditur se abdesti, në ditën e Kijametit do ta gradojë muslimanin. Pejgamberi a.s. ka thënë:
“A dëshironi t’ju udhëzoj për diçka që Allahu do t’ua shlyejë mëkatet dhe do t’ju shtojë gradat? Të pranishmit i thanë: Po si jo, o i Dërguari i Allahut. Pejgamberi a.s. tha: të marrurit abdest në formën e tij të plotë në situata të vështira (sikurse është koha shumë e ftoft, dhembja në trup etj.), bërja shumë hapa deri te xhamia (kjo, për shkak të largësisë së xhamisë dhe përsëritjes për çdo kohë të namazit) dhe falja e namazit në fillim të kohës së vet. Kjo për ju është lidhja e fortë për në rrugën e drejtë.”