Familja është baza dhe bërthama e shoqërisë.
Është fakt i pamohuar se, familja e shëndosh është gjeneratori kryesor i një shoqëri të shëndosh, i një të ardhme të sigurt, si dhe njëri prej faktorëve kryesor i ecurisë normale të shtetit. Familja është baza dhe bërthama e shoqërisë. Ndërkaq, shoqëria është themeli i sendërtimit të ndërtesës shumëngjyrëshe, brenda së cilës, shumëkush do të sorollatet poshtë e lart për një arsyet të vetme, e arsyeja tejet objektive gjithmonë dhe gjithherë është, reflektimi i harmonisë familjare në shoqëri. Në pamundësi të harmonisë së përhershme familjare dhe reflektimin e dëshiruar në shoqëri, krijesa e quajtur njeri është i obliguar ta pranojë si pjesë të natyrshmërisë dhe përditshmërisë së tij, fenomenin e ngashërimit dhe ngazëllimit. Fundja, këto dy fenomene e bëjnë, edhe më atraktive jetën, ngase po të ishim gjithmonë vetëm të gëzuar nuk do t’ia dinim vlerën gëzimit. Sidoqoftë, njeriu më shumë është i prirë drejt ngazëllimit! Investimi i tij në gjëra që arsyeshëm të bëjnë të lumtur, me automatizëm, do të shoqërohet me garanci dhe siguri për ardhmëri më të dinjitetshme. Por, për ta përjetuar dhe shijuar një kënaqësi të tillë, do të duheshte që paraprakisht, paraardhësit tanë ta kenë lëruar arën thellë, dhe të kenë hedhur farë të shëndosh, që do ta arsyetonte shpresën e pritjes për korrje të begatshme. Kjo aludon në atë se, për të ekzistuar familja së pari si nocion, e pastaj si realitet, duhet që patjetër t’i jepet rëndësia e duhur martesës. Sepse, martesa është garancia e saktë e vazhdimit të lozes së mëtutjeshme njerëzore. Fenomeni i martesës, pa më të voglin dyshim është esenca e familjes dhe shoqërisë, por nuk përjashtohet mundësia se, martesa mund të shërbej, edhe për shkatërrimin e familjes, duke qenë njëkohësisht në numër të gjithë pjesëtarët që e përbejnë familjen. Në lidhje me formimin dhe mirëmbajtjen e familjes së shëndosh, si përgjigje dhe sqarim më të qartë në tërë rruzullin tokësor, ishte dhe është porosia e Muhamedit a.s ku thotë se, njeriu edukohet njëzet vjet përpara lindjes së tij.
Me këtë, profeti ynë i dashur qartë dhe haptas na thotë se, në dorë të prindërve është çelësi i lumturisë dhe i edukimit familjar. Fëmija në familje është hije e prindërve të tyre, ndërkaq jashtë familjes, është përfaqësues dhe demonstrues i veprave të familjes. Për këtë arsye, nuk është habi se pse, mësuesit i njohin shumë mirë familjet në vendin ku e ushtrojnë detyrën. Pra, fëmija është urë lidhëse e njoftimit të familjes me shoqërinë!
Fëmijët e shëndosh dhe të edukuar, me automatizëm tregojnë për prindërit e tyre të shëndosh, si dhe prindërit e shëndosh përbëjnë një shoqëri të shëndosh, kësisoj shoqëria e shëndosh është garanci e ardhmërisë së frytshme. Dikujt kjo radhitje e shkëlqyeshme, i duket utopi fantastike, ngase në të shumtën e rasteve, skeptikët në fjalë i shikojnë gjërat vetëm prej këndit të vet familjar. Por, kjo nuk është iluzion për ata që realisht e kuptojnë rëndësinë e kësaj tematike! Utopistët janë të tillë, ngase për model të edukimit në aspekt të përgjithshëm e kanë marrë, modelin e huaj, ku edhe ata kohëve të fundit janë duke ikur dhe u gërditur prej një organizimi të tillë, që seriozisht i rrezikohet ardhmëria e shëndosh. Edhe zhvillimi i hovshëm i teknologjisë nuk do të jetë në gjendja ta shpëtojë një pjesë të Evropës dhe disa pjesë të kontinenteve tjera të zhvilluara, prej shkatërrimit të familjes, me këtë edhe të shoqërisë në tërësi. Kësisoj, në këto kontinente të zhvilluara nuk do të kemi më, njerëz, familje dhe shoqëri me plot kuptimin e fjalës, sikurse nuk do të kemi robot, familje robotësh dhe shoqëri të robotëve me plot kuptimin e fjalës. Sa për ardhmërinë e këtyre shoqërive në shkatërrim, ku qeni e ka zëvendësuar bashkëshortin dhe anasjelltas, ku shpenzimet mujore të një maceje janë më të mëdha se të një kryefamiljari në Ballkan, në mënyrë metaforike, këto degradime njerëzore dhe familjare mund t’i kuptoni dhe shihni në cilësinë e një paralajmërimi për momentin i pabesueshëm, te filmi i “Terminator Katërshi-t”, ku aludohet një e ardhme jo fort e largët, e robotizimit të njeriut dhe e njerizimit të robotit, duke i hyrë kështu në “hak” edhe robotëve. Kurse, disa shqiptar mysliman me një traditë të shkëlqyer në organizmin e familjes, kohëve të fundit i shohim në cilësinë e shportave, të cilët me kënaqësi i pranojnë traditat dhe modelet e huaja që kanë të bëjnë kinse me edukimin e fëmijëve dhe me udhëheqjen e familjes. Këta njerëz të tjetërsuar, qëllimisht harruan se, ai i cili di ta edukoj fëmijën di ta udhëheq familjen, ai i cili di ta udhëheq familjen di ta udhëheq komunën, ndërsa ai i cili di ta udhëheq komunën di ta udhëheq në mënyrë të shkëlqyer shtetin me të gjitha pjesët përbërëse të tij. Tashti mos të habitemi dhe mos të pyesim se, pse anarkia ka filluar të troket edhe në vendet tona, që dihet mirëfilli i së kaluarës së begatshme në këto treva. Dikur në familjet tona, shkëlqyeshëm funksiononte hierarkia familjare, ku i zoti i shtëpisë në konsultim me gruan dhe anëtarët e tjerë të familjes e kishte fjalën përfundimtarë, gruaja dhe vajzat ishin të nderuara me respekt të ndërsjellët, kuvendimet dhe këshillat që u bëheshin nëpër oda të ndejës adoleshentët me kureshtjen më të madhe i dëgjonin, mysafirit i jepej respekti dhe nderi i veçantë, e shumë virtyte tjerë familjare, që ndjej nostalgji të madhe për ato vlera që e mbanin gjallë atdheun e zemrave. Si rrjedhojë e këtyre rrjedhave, përpara nesh qëndronte një ardhmëri e shëndosh, që patëm rastin ta shijojmë, si dhe të tjerët me një krizë moralo-familjare në vazhdimësi na shikonin me syrin e xhelozisë. Ne populli shqiptarë e mysliman, përkundër shumë padrejtësive tjera historike, të paktën në aspekt të organizmit familjarë ishim shëmbëlltyrë! Fatkeqësisht, në Ballkan dhe në disa pjesë tjera të botës ku jetojnë myslimanët (pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare), ëmbëlsia dhe ngrohtësia e dikurshme familjare ka filluar paksa të zbehet, edhe atë si rrjedhojë e pasimit të atyre që nuk kanë familje, nuk e dinë se ç’është familja, dhe në shoqëri paraqiten si tipa asocial, ku botën e shohin vetëm prej këndit dhe syrit material. Këto çarje në familje, filluan prej atëherë kur, gruaja dhe burri si prijës në familje, i ndërruan vendet e natyrshme të tyre. Sot, nëpër shumë vende të botës, roli i burrit në familje është zbehur dukshëm, ku burri po e këndon këngën e vet, por me zë dhe tekst të gruas, sikurse gjeli i cili këndon, por me zë dhe melodi të pulës dhe, anasjelltas. Pasime të tilla, përpos greminës nuk do na dërgonin kund!
Këtë sëmundje patologjike jemi duke e parë të gjithë, por si duket dikujt po i konvenon të luhen lojëra të kësaj natyre. Simptomat e kësaj sëmundje vërehen dhe shihet prej largët. Disa prej shumë simptomave janë: injorimi i prindërve nga ana e fëmijëve, kureshtja dhe ballafaqimi në mënyrë permanente me botën virtuale, xhelozia e pabazë ndërmjet prindërve që pastaj artikulohet si bombë atomike te fëmijët, mënyrat dhe metodat e mbrapshta të martesave, mosmarrja parasysh e rrezikut të shkatërrimit të familjeve, tentimi i barazive gjinore në mënyrë absolute pa e marrë për bazë natyrshmërinë e krijuar, tradicionalizmi i religjionit, kushtet socio-ekonomike, etj., por, simptomat e lartcekura nuk janë, edhe pa ilaç. Ndër barnat kryesor kurues, është kthimi i jonë në praktikimin e fesë së shëndoshë islame dhe mbështetja jonë më e madhe në vlerat tona kulturore, për dallim nga ato që na vijnë prej jashtë, ngase të paktën në aspektin kulturor jemi mjaft të pastër dhe të pasur. Jam shpresues në këtë drejtim, të paktën në dhjetëvjeçarin e fundin, pas një pauze disa vjeçare, e shoh një dritë në fund të tunelit, ku disa udhëtar vendor dhe të largët me sinqeritetin më të madh të mundshëm, çdo ditë e më tepër po i afrohen dritës ndriçuese.
Me ç’rast, duke mos e përjashtuar, edhe mundësin e flijimit fizik dhe mendor për familje të shëndoshë, si dhe në kuadër të këtij mozaiku të begatshëm, mëtojnë që, shkëlqesinë e dikurshme të familjes ta kthejnë, që dikur tmerrësisht të paskrupullit ia morën.
Pra, familja e shëndoshë, pa më të voglin dyshim është garanci e së ardhmes, ndërkaq, garancia e së ardhmes në vazhdimësi do t’i jetë mirënjohës familjes së shëndosh!