Njerëzit që vdesin nga duhani nuk pasqyrohen në njoftimet e medias, por Organizata Botërore e Shëndetit thotë se tymi i duhanit vret 1 njeri çdo 6 sekonda. Studimet kanë treguar se tymi i duhanit nuk dëmton vetëm ata që pijnë cigare, por edhe të tjerë që qëndrojnë pranë tyre dhe thithin tymin që lëshojnë duhanpirësit. Një studim i ri tregon se ndalimi i duhanit ka ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e shëndetit publik.
Virxhinia është shteti më i ri në SHBA që ndalon pirjen e duhanit në restorante dhe bare. Ndërkohë që komunitetet në të gjithë vendin ndalojnë pirjen e duhanit në mjedise publike, është ulur numri i vdekjeve nga infarkti.
Një studim i botuar këtë vit në Pueblo të Kolorados nga Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve tregon se infarktet ranë 40 për qind pasi hyri në fuqi një ligj për ndalimin e duhanit në punë dhe vende publike. Studime të reja tani mbështesin ndikimin e kësaj mase.
Dr. Neil Benowitz është një ndër studiuesit që përgatitën raportin e fundit.
"Nëse ekzpozon dikë ndaj tymit të duhanit që po pi një person tjetër, brenda pak minutash vëren se pllakëzat e gjakut shtohen. Vërejmë se reduktohet funksioni i enëve të gjakut.
Pikërisht nga këto ndodh infarkti. Dr. Lynn Goldman është autorja kryesore e raportit.
"Arritëm në përfundimin se ka lidhje shkak-pasojë mes sëmundjeve të zemrës dhe tymit të cigares së dikujt tjetër."
"Qoftë edhe një ekspozim i vogël ndaj tymit, kur pi cigare dikush tjetër, mund të rrisë mpiksjen e gjakut, të ngushtojë enët e gjakut dhe të shkaktojë infarkt."
Mjekët analizuan të dhëna nga 11 studime në vende të ndryshme. Ata arritën në përfundimin se ndalimi i duhanit ul infarktet nga 6 deri në 50 për qind.
"Një ndër gjërat që duhet të kuptojmë është se edhe masat për ndalimin e duhanit nuk janë njësoj. Disa zbatohen mirë, të tjerat jo. Megjithatë, të gjitha tregojnë ulje të infarkteve akute pas zbatimit të tyre."
Kritikët thonë se studimi ka probleme, pasi nuk u eliminuan që në fillim nga statistika njerëzit që kishin pasur që përpara sëmundje zemre. Por studiuesit thonë kjo do të ishte e pamundur.
"Shumica e njerëzve që diagnostikohen me sëmundje zemre, diagnostikohen pasi kalojnë për herë të parë infarkt."
Studimi u publikua nga Instituti i Mjekësisë, një grup këshillimor i qeverisë amerikane.
Për sa i përket studimit të zhvilluar në Pueblo të Kolorados, 400 vetë pësuan infarkte para se të ndalohej duhani. 18 muaj pas ndalimit, 240 vetë kanë patur infarkt.
Zonat përreth, ku nuk u ndalua duhani nuk kanë shfaqur rënie të numrit të infarkteve.